Kurti për aksionin në veri: Grupet kriminale do të luftohen

Kryeministri i Kosvoës, Albin Kurti ka reaguar pas aksionit të sotëm kundër kontrabandës në vend.

Kurti tha se këto veprime janë paraprirë nga hetimet dhe janë me urdhër të prokurorisë dhe gjykatave kompetente.

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale

ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen.

Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë

ka shtuar ai.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të komunave në veri që të mos bien pre e provokimeve.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë

ka shkruar në fund Kurti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ky operacion policor është në nivel vendi.

Ajo ka thënë se qëllimi i tij është parandalimi i veprimtarive kriminale dhe kontrabandimit të mallrave.

Kriminaliteti duhet të ndalohet dhe grupet kriminale duhet të ndëshkohen

ka thënë ajo.

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit ka nisur një aksion kundër kontrabandës në veri të vendit dhe disa lokacione të ndryshme,

Gjatë aksionit, policia ishte penguar nga banorët serbë të kësaj ane dhe është dashur të përdorin gaz lotsjellës dhe të ndërhyjnë me autoblinda.

Aksioni policor, që filloi sot është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.