Eksperti i jashtëm që mbështet Kosovën në dialogun me Serbinë distancohet nga qëndrimi për arkivat

Robert Muharremi, një nga pjesëtarët e grupit të ekspertëve të jashtëm në mbështetje të delegacionit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, është distancuar nga qëndrimi i Kosovës për hapje të arkivave me Serbinë.

Të enjten, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se për një moment në takimet e fundit në Bruksel, Kosova e Serbia janë dakorduar për hapjen e të gjitha arkivave në funksion të identifikimit të varrezave masive, por që pala serbe më pas është tërhequr. Këtu Bislimi përmendi edhe arkiva që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Muharremi e ka cilësuar deklaratën e Bislimit si dëmtim të përpjekjeve të delegacionit të mëparshëm që UÇK-ja të mos përfshihet në diskursin rreth personave të zhdukur.

Hapja e arkivave të UÇK-së ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Serbisë për ta ndryshuar narrativen e ‘fajtorëve’ për personat e zhdukur dhe për ta barazuar UÇK-në me Serbinë. Nuk është me rëndësi se si dhe në çfarë konteksti është bërë deklarata, por efekti i saj, i cili tani ka përfshirë edhe UÇK-në si pjesë të problemit. Kjo është e dëmshme dhe me pasoja për Kosovën, marrë parasysh edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë kundër UÇK-së, dhe për këtë arsye distancohem nga ky proces.

Në fillim të vitit, Grupi për Ballkan (BPRG) pati njoftuar se do të vazhdojë mbështetjen për institucionet e Kosovës në kuadër të procesit të dialogut me ekspertë të jashtëm. Grupi për Ballkan (BPRG), Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë, tashmë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e tyre.

Sipas këtij, memorandumi, ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Veton Surroi, Robert Muharremi e Muhamet Mustafa.