E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Albin Kurti për DW: Nuk do të ketë Asociacion mbi baza etnike në Kosovë

- Advertisment -spot_img

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar edhe një herë që Asociacioni i Komunave Serbe mbi baza etnike nuk mund të zbatohet në Kosovë për shkak që nuk e lejon Kushtetua.

Kurti ka potencuar se në krye të shtetit janë tre persona, duke llogaritur vetën, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, që kanë qenë kundër Asociacionit në vitin 2013.

Ai ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues.

Në vitin 2013 duhet ta keni parasysh që ka pasur një trysni të jashtëzakonshme mbi deputetët për ta kaluar shpejt e shpejt atë marrëveshje parimore dhe ka munguar transparenca, nuk ka pasur informim të duhur. Sot i keni në krye të institucioneve njerëzit të cilët në vitin 2013 kanë qenë kundër asaj marrëveshje, ndërsa sot ata tre vetë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti më 14 shkurt të vitit 2021 kanë arritur fitore plebishitare. E dyta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që i ka bërë përmbajtjes së vitit 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e vitit 2013. Me fjalë të tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm germa e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi baza etnike. Kjo është bërë në Dejton ku është ndërtuar një ngrehinë që sot quhet Republika Serbe dhe e cila është aty për Beogradin dhe jo për serbët. Ngjashëm po e dëshirojnë edhe në Kosovë. Shikoni në Bosnje dhe Hercegovinë kemi një shtet që nuk është republikë, e brenda e ka një republikë që nuk është shtet. Pra, Beogradi dëshiron ngjashëm edhe në Kosovë që të ketë një shtet që nuk do të quhet republikë por Asociacion dhe kjo të jetë brenda Kosovës që quhet Republikë por nuk do të jetë shtet. Pra në kemi nxjerrë mësime nga e kaluara dhe e kemi studiuar dhe analizuar saktë Beogradin përveҫ se e njohim mirë nga përvoja jonë

deklaroi Kurti në një intervistë për DW-në.

Kurti ka përmendur situatën në Bosnje dhe Hercegovinë duke thënë se Serbia në Ballkanin Perendimor po sillet sikurse Federate Ruse ku Republika Serbe në Bosnje po tenton të bëhet një Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi dëshirojnë ta shndërrojnë në Ukrainë.

Kemi dy lavjerrësa të ҫuditshëm që e përshkruajnë situatën sesi po lëviz në Ballkanin Perendimor. Së pari kemi lavjerrësin që së pari na sulmojnë me Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe dhe kur kjo nuk ecën atëherë dalin tek ajo që vërtetë duan, tek ndarja e Kosovës. Pra kemi disa javë asociacionin dhe disa javë çështjen e shkëmbimit të teritoreve që është ndarja e Kosovës dhe e kemi lavjerrësin tjetër ku Beogradi disa javë sulmon Sarajevën e disa javë sulmon Prishtinën. Pra, disa javë sulmon integritetin territorial të Bosnjes e Hercegovinës e disa javë këtë ja bën Republikës së Kosovës. Pra këta janë dy lavjerrësat që i kemi aktualisht në Ballkanin Perendimor e të dy e kanë shkakun e tyre në Beograd. Në anën tjetër situata në Ballkanin Perendimor është një situatë në miniaturë e rrethanës së Federatës Ruse. Gjithçka e më shumë po tregon se Serbia në Ballkanin Perendimor po sillet sikurse Federate Ruse ku Republika Serbe në Bosnje po tenton të bëhet një Bjellorusi, ndërsa Malin e Zi dëshirojnë ta shndërrojnë në Ukrainë. Pra thelbi i ҫështjes është se Serbia nuk i pranon si shtete të vërteta shtetet që nuk janë në Bashkimin Evropian, pra Bosnjen e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën e madje edhe Maqedoninë e Veriut, pra Serbia i konsideron si shtete të përkohshme dhe angazhohet me gjithë kapacitetin e saj për këtë.

deklaroi Kurti.

Artikuj të ngjashëm