Mediumet në Serbi kanë reaguar ndaj rastit kur një person ia ka veshur xhaketën me emblemë të UÇK-së futbollistit shqiptar Xherdan Shaqiri, derisa ai po intervistohej pas ndeshjes eliminatore për Botërorin 2022 të zhvilluar të shtunën mbrëma kundër Irlandës së Veriut.
Zvicra fitoi 2:0.
Shaqiri u hutua kur një person ia vendosi xhaketën mbi shpatulla dhe pasi e vuri re emblemën ai e hoqi dhe e mbajti në dorë, ndërsa buzëqeshi.
Gazeta serbe “Kurir” ka thënë se është skandaloze dhe ka shtruar pyetjen se edhe sa do të tolerojë UEFA “këtë marrëzi”.
E neveritshme. Natyrisht se ky është një abuzim, një ndërhyrje e rëndë e politikës në sport
Gazeta serbe: “Kurir”
Gazeta ka kërkuar pasoja strikte, duke i bërë thirrje UEFA-s ta dënojë edhe Federatën e Futbollit të Zvicrës.
“Tash UEFA duhet të reagojë ashpër dhe të ndëshkojë Federatën Zvicerane të Futbollit, e cila lejoi këtë skenë skandaloze, pasi padyshim nuk e siguroi mirë stadiumin”, ka shkruar Kurir.
Lexo edhe: Një tifoz e ka pësuar pasi ia veshi Shaqirit xhaketën me emblemën e UÇK-së
Madje “Kurir” ka postuar edhe një foto të Shaqirit gjatë festimit duke e bërë me duar shqiponjën me dy krerë, pasi shënoi golin e fitores në ndeshjen në Botërorin 2018 kundër Serbisë. Shaqiri e Granit Xhaka shënuan golat atëbotë, ndërsa Zvicra triumfoi 2:1.
Shaqiri realizoi në momentet e fundit.

Edhe Xhaka kur kishte shënuar gol kishte festuar me shqiponjë.
