E shtunë, 22 Janar, 2022
spot_img

Vrasja në Suharekë/ Propozohet ekzaminimi i thirrjeve telefonike të të akuzuarës që dyshohet se porositi vrasjen e burrit

- Advertisment -spot_img

Në rigjykimin lidhur me vrasjen e Abedin Bytyqit, vrasje e cila kishte ndodhur më 6 tetor të vitit 2016, prokurori i shtetit, Genc Nixha, dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Blerim Mazreku, propozuan që të ekzaminohen thirrjet telefonike të të akuzuarve Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi.

Në seancën e sotme u lëshua një CD nga ku u  vërtetua hartografia e vendit të ngjarjes në të cilën nga provat e pranuara nga ana e ekspertit të rrjetit të telefonisë mobile, Fatbardh Dragusha, ka rezultuar se është vetëm listingu i thirrjeve dhe SMS të të akuzuarit Murat Ademi. Eksperti po ashtu deklaroi se nga një numër tjetër është konstatuar se është i panjohur dhe se në listing nuk ka pasur nxjerrje të të dhënave për të akuzuarin Fadil Fetiu.

Tutje, Dragusha shtoi se për të përcaktuar lokacionin e thirrjeve nga numrat e tjerë duhet të bëhet urdhëresa nga ana e prokurorisë apo gjykatës që përmes kompanisë të merren numrat që mungojnë.

Lexo edhe: Në veri vendosen posterë me fotografi të Vladimir Putinit

Më pas, në gjykim u lëshua edhe një CD tjetër, ku pas shikimit të saj dhe pjesës së raportit, eksperti Fatbardh Dragusha konstatoi se ky numër ishte i të akuzuarit Fadil Fetiu.

Si rrjedhojë e kësaj, prokurori Genc Nixha dhe avokati Blerim Mazreku propozuan që si plotësim i ekspertizës të jetë numri dhe ekspertiza e listingut të të akuzuarit Fadil Fetiu si dhe nga Gjykata u kërkua që të nxirret urdhëresë për sigurimin e listingut të numrit i cili ka qenë në pronësi gjatë kohës së kryerjes së vrasjes në emër të të akuzuarës Resmije Bytyqi dhe Reshat Ademi.

Pas kësaj kryetari i trupi gjykues, Xheladin Osmani, mori vendim që të aprovohet kërkesa e prokurorit të shtetit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar.

Pas paraqitjes të propozimeve dhe provave të reja, trupi gjykues mori vendim që seanca e sotme të ndërpritet dhe të vazhdojë më 7 tetor 2021.

Ndryshe, Prokuroria e Prizrenit akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta në mënyrë mizore të ndjerin Abedin Bytyqi kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të xhaxhait dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e  Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë të ndjerin Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata i shqiptoi 20 vite burgim, të akuzuarit Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e veprës penale gjykata i shqiptoi 12 vite burgim. Kurse, i akuzuari  Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Themelores nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero raporton kallxo.

/Observeri/

Artikuj të ngjashëm