E diel, 25 Shtator, 2022
spot_img

Vihet në pikëpyetje takimi i delegacionit të Kosovës dhe Serbisë

- Advertisment -spot_img

Në Bruksel ka përfunduar takimi i delegacionit të Kosovës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij. Por, takimi i paraparë për të mërkurën, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është vënë në pikëpyetje pasi Kosova po refuzon që të marrë pjesë në të.

Pala kosovare po e sheh si problematike takimin trepalësh të paraparë të mbahet më 8 shtator, pasi në delegacionin e Serbisë po merr pjesë edhe Velko Odalloviq, dhe përfaqësuesit e Kosovës nuk duan të takohen me të.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besknik Bislimi tha se do të inciojë një procedurë për ta shpallur Odalloviqin “person non grata” (person i padëshiruar) dhe për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Bislimi po ashtu ka treguar se gjatë takimit që ka pasur sot me Lajçakun dhe ekipin e tij, është biseduar për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë, për atë të targave të veturave dhe për çështjen e të pagjeturve. Pikërisht çështja e të pagjeturve pritet të jetë tema e vetme e takimit të paraparë për nesër.

Ndërkaq, pas takimit të delegacionit të Kosovës, Lajçak po takohet me delegacionin serb.

Më herët gjatë ditës, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se pret që palët të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen dhe unë pres që të gjendet gjuhë e përbashkët për të lëvizur përpara.

tha Lajçak

Ndërkaq, shefi i ekipit negociator të Serbisë dhe njëherësh drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se nga takimet e 7 dhe 8 shtatorit varet nëse do të ketë një raund të ri të dialogut në nivel politik.

Ai tha se gjatë bisedimeve të hënën dhe të martën Beogradi do të këmbëngulë për pesë çështje: të pagjeturit, drejtësinë, lirinë e lëvizjes, energjinë dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij në Bruksel çdo herë atmosfera është e pakëndshme, por pavarësisht kësaj “delegacioni serb qëndron atje për të luftuar për interesat serbe në Kosovë si dhe për të kërkuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit që janë arritur më parë”.

Serbia gjithmonë këmbëngul për dialog dhe tregon një qasje konstruktive.

u tha Petkoviq gazetarëve

Burimet e BE-së kanë thënë se takimet e të martës dhe të mërkurës do të shfrytëzohen për të përgatitur një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që pritet të zhvillohet më vonë gjatë muajit shtator.

Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret./rel/

Lexo edhe: Bislimi paralajmëron reciprocitet për targat e veturave pas 15 shtatorit

Artikuj të ngjashëm