E enjte, 9 Dhjetor, 2021
spot_img

Të mërkurën pritet të nis rigjykimi për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

- Advertisment -spot_img

Gjakovë – Më 27 tetor, pritet të nis rigjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj.

Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me ish-kryetarin Lekaj, për keqpërdorim të pozitës po akuzohet edhe ish-zyrtarët komunal, Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione po akuzohet Veli Hajdaraga.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar Lekajn me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Të akuzuarin Rama e kishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Ndaj tyre ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinte ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi ishte shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht prej 1 viti. Po ashtu, ishte obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24 mijë e 718 euro e 59 centë.

Katër të akuzuarit ishin obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69 mijë e 786 euro.

Mirëpo, Apeli e ka prishur këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

Apeli e ka lënë në fuqi vetëm pjesën e dënimit për shmangie nga tatimi për të akuzuarin Veli Hajdaraga, duke ia vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, si dhe e ka obliguar t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar ATK-së.

Në aktgjykimin e Apelit thuhet se ka paqartësi për kohën se kur janë kryer veprat penale të pretenduara nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtarëve komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi dhe të akuzuarit Veli Hajdaraga.

Në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Kjo është hera e dytë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke e aprovuar kështu ankesën e PSRK-së.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 26 maj 2016, Gani Rama, po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

Artikuj të ngjashëm