E hënë, 23 Maj, 2022
spot_img

Salih Mustafa nuk merr pjesë në fazën e tretë të seancës

- Advertisment -spot_img

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën, më 20 shtator, ka vazhduar gjyqi kundër Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohet për krime lufte.

Në po këtë ditë është paraqitur edhe dëshmitari i parë në rastin kundër Mustafës.

Dëshmitarit i është fshehur identiteti për çështje të sigurisë.

Në pjesën e tretë të seancës të së hënës, Mustafa nuk ka qenë më në sallë.

Avokati i tij, Julius von Bone, ka thënë se ai nuk do të deklarohet, ndonëse vetë Mustafa kishte kërkuar të fliste, më herët gjatë ditës.

Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se pjesa e mbetur e seancës së 20 shtatorit mund të vazhdojë edhe pa të, mirëpo të nesërmen ai duhet të jetë në sallë.

I jap urdhër që të jetë këtu në orën 9:30

ka thënë Veldt-Foglia.

Dëshmitari: Dy persona mu prezantuan si pjesëtarë të UÇK-së

Prokurori, Cezary Michalczuk, ka qenë i pari që ka nisur t’i shtrojë pyetje dëshmitarit, i cili ka thënë se dy persona e kanë ndaluar në rrugë, të cilët kanë qenë të veshur me uniforma, që sipas tij kanë qenë lara-lara “sikur ato që ka mbajtur UÇK-ja”.

Megjithatë, dëshmitari ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë emblemë, pasi atij menjëherë pas ndalimit ia kanë futur kokën në thes.

Kur është pyetur se pse mendon që personat që e kanë ndaluar kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ai ka thënë se, “ashtu më janë prezantuar”.

Ai ka thënë se dy personat që e kanë ndaluar, bashkë me dy personat në makinë, të gjithë me uniforma, e kanë çuar atë në Zllash.

Sipas tij, këta persona i kanë ofruar një çokolladë dhe më pas e kanë grushtuar në fytyrë, duke ia mbuluar kokën me thes.

Thesin e kam pasur në kokë. Më kanë marrë dy persona, më kanë çuar në dhomën ku kam qëndruar, më kanë shqelmuar dhe nuk kam parë asgjë. Pastaj erdhën të tjerë, dhe rreth një orë kam qëndruar ashtu, më kanë marrë dhe më kanë dërguar në një vend tjetër, jashtë, ka qenë ftohtë, dhe më kanë rrahur

ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se pasi kanë arritur në vendin ku ka qëndruar, ndaj tij kanë ushtruar dhunë fizike dhe më pas e kanë dërguar në një ambient të jashtëm.

“Më akuzuan se kisha bashkëpunuar me serbë”

Dëshmitari më vonë ka thënë se tre-katër persona e kanë marrë sërish nga një ahur dhe e kanë dërguar në një vend tjetër.

Ai ka thënë të jetë alivanosur disa herë, pasi është rrahur edhe me drunj dhe atë e kanë sharë vazhdimisht.

Përgjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se personat që e kanë ndaluar e kanë akuzuar se ka bashkëpunuar me serbë.

Kam qenë njeri i varfër në atë kohë. Kam shitur dru me një kal që kam pasur. Unë nuk kam pasur çare pa folur me ndonjë serb, sepse nuk kam mundur të jetoj ndryshe, të mbaj familjen

ka thënë dëshmitari.

“I akuzuari ka qenë njeriu kryesor”

Kur dëshmitarin e kanë dërguar në ambientin e dytë, ai ka thënë se njëri prej personave ia ka drejtuar një revole në kokë.

Ai ka thënë thënë se personi që ia ka drejtuar revolen në kokë ka qenë “i akuzuari në sallë” duke refuzuar që t’ia përmend emrin.

Sipas tij, personi që ia ka drejtuar revolen ka qenë personi kryesor aty.

“Unë e bazoj këtë, sepse pa thënë i akuzuari, ata nuk kanë bërë asgjë, ushtarët tjerë që kanë qenë aty. I akuzuari ka qenë kryesori”, ka thënë ai, ndonëse ai ka përmendur se ka qenë shumë errësirë në vendin ku është mbajtur dhe nuk e ka parë atë.

Megjithatë, sipas tij, qëllimi nuk ka qenë që ai të vritet.

Kam pasur dëshirë që të më vrisnin. Në ato momente si kam qenë, kam pasur dëshirë që të më vrisnin

ka thënë ai.

/REL/

Artikuj të ngjashëm