E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Vuçiq reagon ndaj deklaratave të Von Cramonit

- Advertisment -spot_img

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj deklarimeve të raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, që tha se aksioni i Policisë së Kosovës në veri kundër kontrabandës e korrupsionit ishte i nevojshëm.

Deklarimi i Von Cramonit për televizionin serb N1 të mërkurën, ka ngjallë reagime të shumta në Serbi.

Është mirë që Qeveria e Kosovës e ka trajtuar këtë problem, sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë gjithmonë një kërkesë e BE -së. Është informuar edhe KFOR-i, por edhe forcat e tjera, dhe është e qartë se nuk kishte dyshim se ishte e nevojshme

tha von Cramon.

E presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se po të dëgjoheshin disa eurodeputetë si Von Cramon, përdorimi i fjalës Kosovë do të ishte e ndaluar në Serbi.

Paqja është ajo që na sjellë forcë dhe kontribuon në zhvillim. Po të dëgjonim disa eurodeputetë, si rasti i Viola von Cramon, ne do ta varnim veten shumë kohë më parë. Vetëm ata nga ‘agjenda e gjelbër’ do të jetonin, të gjithë tjerët do të mund të hidheshin në Danub nën akull apo nuk e di çfarë tjetër të bënin me veten. E Kosova do të ishte një fjalë e ndaluar në Serbi. Ata kanë interesat e tyre, ne kemi interesat tona, veçanërisht kur flasim për të majtët dhe atë agjendën e gjelbër. Le të kryejnë ata punën e vet, e sa na përket ne do të ndjekim një politikë të përgjegjshme, do të ruajmë stabilitetin në rajon, por edhe do të kundërshtojmë kur do të duan të na heqin të drejtën tonë për një vendimmarrje të pavarur dhe autonome

ka thënë Vuçiq të shtunën gjatë takimit me anëtarin serb të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, raporton Tanjug.

Ndaj deklaratave të Von Cramonit më herët kishte reaguar edhe kryeparlamentari serb Ivica Daçiq që e kishte quajtur atë të “dashur” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë shefi i të ashtuquajturës zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kishte thënë se Von Cramon e ka shefin në Prishtinë.

Nëse zonja Von Cramon do të ishte vërtetë e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, do të dëgjonte me vëmendje mesazhet e kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, që dënoi veprimet e njëanshme e të dhunshme të Prishtinës dhe deklaroi se ato nuk ishin të koordinuara. Mirëpo, me deklaratën e dhënë nga ajo, është e qartë se shefi i Von Cramonit nuk është në Bruksel, por në Prishtinë. Ndaj do të ishte më e drejtë ta hiqte maskën e përfaqësuesit evropian dhe të mos prezantohet rrejshëm

tha Petkoviq.

Ndaj Petkoviqit reagoi Von Cramon, që tha se ajo është për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, në mënyrë që të mos ndodhë një rast tjetër si ai i vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

E kundërta, unë dua që serbët në Kosovë – si në jug ashtu edhe veri të Ibrit – të mbrohen sa më tepër të jetë e mundur. Në mënyrë që të mos kemi një rast tjetër si ai i Oliver Ivanoviqit, që për shkak të mungesës së sundimit të ligjit apo një ‘dite tjetër të mjegullt’ në veri, mbetet i pazgjidhhur

ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Artikuj të ngjashëm