Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi dënimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ish Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Ish Prokurori i Përgjithshëm është dënuar me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtor nën akuzat për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Po ashtu atij do t’i konfiskohen edhe disa prona të vëna paraprakisht nën sekuestro 4 sipërfaqe toke, gjithsej 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.
Mbrëmjen e së mërkurës, policia ka kontrolluar shtëpinë e ish-kryeprokurorit Llalla në Tiranë.
Forca të shumta policie shkuan në banesën e tij, ndërkohë që ishte e pranishme edhe media.
Uniformat blu u larguan pasi nuk e gjetën në shtëpi Adriatik Llallën.
Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.
Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet po ashtu i pari zyrtar i lartë që dënohet me burgim nga institucionet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi.