E diel, 28 Nëntor, 2021
spot_img

Rama: Kërkim falja e Serbisë ndaj Kosovës duhet të vijë në fund

- Advertisment -spot_img

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë nga Beogradi se e ardhmja nuk është izolimi dhe bunkerizimi, por liria e lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve e shërbimeve. Ai ka kritikuar sërish Kosovën për mospjesëmarrje, duke thënë se për të marrë kërkimfaljen dhe njohjen nga Serbia duhet bashkëngjitur edhe nismës “Ballkani i hapur”

Kërkimfalja për krimet e luftës dhe marrja e njohjes nga Serbia kalojnë nëpërmjet nismave rajonale sikurse është “Ballkani i hapur”.

Ky është qëndrimi që ka shpalosur njëri ndër themeluesit e iniciativës në takimin e Beogradit. Kosova që refuzon të marrë pjesë ishte sërish objekt diskutimi.

Nikoqiri i takimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu i Brukselit dhe “Ballkani i hapur” janë dy çështje të ndryshme.

Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por ‘Ballkani i hapur’ është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar e mirëpresim. Ne ua kemi hapur dyert si Prishtinës, Podgoricës e Sarajevës, por nuk më shkon në mendje që t’i arsyetohem dikujt, qoftë Bashkimit Evropian apo dikujt nga rajoni. A e dini sa punë kemi përpara ne tri shtetet, por a e dini sa përfitime do të kemi kur ta implementojmë këtë marrëveshje

ka thënë Vuçiq.

Ndërkaq për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ftesa e hapur e Vuçiqit është test për Prishtinën që t’i bashkohet nismës së tri shteteve. Sipas tij, Kosova nuk duhet të kapet për faljen dhe njohjen nga Serbia, pasi që ato vijnë krejt në fund të procesit.

Sot presidenti i Serbisë më hapur se asnjëherë e tha se mirëpret Kosovën njësoj si edhe dy vendet e tjera në këtë nismë, që do të thotë se kjo deklaratë testohet vetëm nëse Kosova vjen në nismë, pra nëse do të ketë pengesë apo jo. Kjo është diçka që e kam thënë qysh në krye të herës

ka thënë Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët shqiptarë.

“Për t’iu treguar atyre që më thonë tradhtar, falja duhet të vijë në fund jo në fillim. Falja e Gjermanisë ka ardhur më 1969, pasi me Francën kanë arritur paqen dhe kanë vepruar saktësisht siç po bëjmë ne në Ballkan. Nëse duam ta bëjmë Serbinë që të kërkojë falje duhet të kemi strategji si të shkohet tek njohja e pastaj tek falja. Sepse o kështu si them unë, o s’ka ndryshe, nuk shkon. Vetëm në luftë shkohet kështu. Por Kosova e fitoi luftën, shqiptarët kanë fituar luftën. Këta ku jemi sot, pra Serbia, e kanë humbur. Tani Kosova duhet ta fitojë paqen. Ky është fakti i dhimbshëm, por i vërtetë”.

Rama ka shtuar se nuk e ka problem nëse ia veshin epitetin e tradhtarit.

Kush është zgjidhja? Edi Rama është tradhtari. Në rregull. Nëse kjo e lehtëson ekonominë, tregtinë, apo e zgjidh çështjen e Kosovës jam gati, pra pranoj edhe ta mbaj këtë damkë nëse e gjithë çështja do të zgjidhet duke thënë Edi Rama është tradhtar

ka potencuar ai.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, Maqedonia e Veriut është përfaqësuar nga zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Nikola Dimitrov.

Bashkëpunimi rajonal është zgjidhje e guximshme, e duhur dhe evropiane. Në Maqedoninë e Veriut situata politike nuk është e lehtë, por megjithatë nuk mund t’ia lejojmë vetes të mungojmë në një iniciativë kaq të rëndësishme. Sa më mirë që bashkëpunojmë në rajon, do të mund t’i bindim të tjerët që nuk jemi rajon i problemeve, por që japim zgjidhje

ka potencuar Dimitrov.

Një ditë më herët, në darkën zyrtare, Ramës-Vuçiqit e Dimitrovit u është bashkuar edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, që qëlloi për vizitë zyrtare në këtë vend. Mes të tjerash ai ka thënë se “nuk është kundër iniciativave të dobishme për rajonin”.

Deri më tash Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova kanë refuzuar të bëhen pjesë e kësaj iniciative.

Artikuj të ngjashëm