E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Opozita në Maqedoni pa numra për mocionin e mosbesimit, mungon deputeti i Lëvizjes Besa

- Advertisment -spot_img

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur seancën për mocionin e mosbesimit të qeverisë, por seanca është ndërprerë me kërkesë të opozitës, meqë i mungon një deputet.

Në njoftimin që e ka bërë në Facebook, deputeti nga Lëvizja Besa, Kastriot Rexhepi, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën e kuvendit për rrëzimin e qeverisë.

Duke pasur parasysh momentin politik, pas shtyrjes të dorëheqjes nga kryeministri Zoran Zaev, për hir të procesit dhe sinjalet e forta nga partnerët strategjik, Shtetet e bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe shtetet e Bashkimit Evropian(BE) që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marr pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merrej vendim, me të cilin do të vihet në pikëpyetje ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror. Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë duke i vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë

ka shkruar Rexhepi, deputet i Lëvizjes BESA.

Dy deputetët e tjerë të kësaj partie janë për mocionin e mosbesimit të qeverisë.

Kuvendi e ka ndërprerë seancën me kërkesë të VMRO DPMNE-së, e cila do të shqyrtojë situatën pas vendimit të këtij deputeti.

VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, si dhe Lëvizja Besa, besonin se kanë siguruar votat e 61 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Unë mendoj që kemi votat për të rënë qeveria dhe përfundimisht mendoj se do të lirohen qytetarët. Do të bie Qeveria, qytetarët do të lirohen nga ky presion. Kjo qeveri anti-qytetare do të bie

deklaroi para nisjes së seancës Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Edhe deputeti i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, tha se beson se do të kalojë mocioni i mosbesimit.

Sot (e enjte) do të bie qeveria, e për formim të shumicës së re ka kohë

u shpreh Apasiev.

Partia Alternativa, e cila fillimisht kishte refuzuar të jetë pjesë e nënshkrimeve ku bën pjesë edhe “E Majta”, mbetet në qëndrimin se do ta votojë mocionin e mosbesimit, por nuk do të jetë pjesë e ndonjë nisme për qeveri të re nëse aty do të ishte e “E Majta”.

Ne asnjëherë nuk do të jemi në një listë të përbashkët, në një tavolinë të përbashkët me njerëz, të cilët janë antishqiptarë, anti-NATO, anti-BE, anti -Kosovë dhe në asnjë rast nuk lejojmë që të jemi pjesë e ndonjë shumice me ta. Ne nuk do të jemi pjesë as e listës për mandatin nëse aty qëndron ‘E Majta’

ka deklaruar deputeti i Alternativës, Skënder Rexhepi.

Qeverinë maqedonase, aktualisht, e përbëjnë LSDM-ja me disa parti të vogla maqedonase që janë në përbërjen e saj, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).

Çfarë parasheh Kushtetuta për mocionin?
Sipas Kushtetutës, votëbesimi ndaj qeverisë duhet të përfundojë në të njëjtën ditë. Nëse opozita siguron 61 vota kundër kabinetit të kryeministrit (Zaevit), atëherë qeveria është e detyruar të japë dorëheqje brenda 24 orëve, pas çka fillon afati dhjetëditor për presidentin e shtetit (në këtë rast Stevo Pendarovski), që t’ua japë mandatin për formimin e qeverisë së re partive që do të konfirmojë se kanë të paktën 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, nëse opozita nuk arrin të rrëzojë qeverinë, atëherë në 90 ditët e ardhshme nuk do të mund të paraqesë mocion të ri mosbesimi ndaj qeverisë, nëse së paku 61 deputetë nuk paraqesin iniciativë.

Si u mblodhën nënshkrimet për mocionin?


Pjesë e qeverisë ishte edhe Lëvizja Besa, me tre deputetë, por ajo tani ka kaluar me opozitën pas përplasjeve të vazhdueshme me BDI-në gjatë zgjedhjeve lokale, por edhe me LSDM-në, të cilën e akuzon se në zgjedhje ishte rreshtuar përkrah BDI-së së Ali Ahmetit.

Pas tërheqjes së Lëvizjes Besa, shumica aktuale parlamentare ka mbetur me 59 deputetë.

Nisma për mosbesimin e qeverisë, ndërkohë, pësoi disa ndryshime, pasi një deputet i Alternativës, Skënder Rexhepi, nuk ishte pajtuar që nënshkrimi i tij të jetë pranë deputetëve të partisë “E Majta”, e cila kritikohet për qëndrime anti-shqiptare dhe anti-perëndimore.

Kjo parti tërhoqi nënshkrimet që nisma të jetë e Alternativës dhe e disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

Nismën për mocion të mosbesimit të qeverisë mund ta paraqesin edhe së paku 20 deputetë.

Që të katër deputetët e Alternativës do të votojnë për rrëzimin e qeverisë. Dua t’ju them se sot përfundon faza e parë, dhe më pas fillon faza e dytë dhe çfarë do të ndodhë nuk duam të paragjykojmë. Alternativa do të jetë pjesë e asaj qeverie që e ka të qartë kursin euroatlantik të vendit

ka deklaruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Edhe VMRO-DPMNE-ja beson se ka siguruar votat e 61 deputetëve për të votuar mosbesimin e qeverisë.

Besojmë se kundër Qeverisë nuk do të jenë 61 nënshkrime të deputetëve, por do të ketë më shumë se 61. Opozita do të votojë për largimin e kësaj qeverie. Populli kërkon ndryshime, një vullnet i tillë u shpreh në zgjedhjet lokale

ka deklaruar deputeti i VMRO-DMNE-së, Antonio Milloshoski.

Partitë në pushtet besojnë në dështimin e mocionit
Partitë në pushtet, ndërkohë, besojnë se opozita nuk do të arrijë të votojë për rrëzimin e Qeverisë Zaev.

Partitë në pushtet nuk do të lejojnë kthimin pas të shtetit. Pas shumë vitesh regjim, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve

ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së, pasi organet e partisë vendosën shtyrjen e dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev.

Partitë e koalicionit qeverisës, të mërkurën në mbrëmje kanë mbajtur një mbledhje konsultuese, detaje nga e cila nuk janë dhënë, por mediat lokale njoftojnë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në këtë takim është shprehur optimist se “Qeveria nuk do të bie të enjten në votimin për mosbesimin në kuvend, pasi që shumica është me forcat progresive në kuvend”.

Nisma e opozitës ka pasur rezultatin e saj të favorshëm në zgjedhjet lokale, por para së gjithash dorëheqjen e paralajmëruar të kryeministrit Zoran Zaev.

Kreu i qeverisë natën e 31 dhjetorit tha se e merr përgjegjësinë për dështimin në zgjedhje dhe paraqiti dorëheqjen nga posti i kryeministrit, por edhe nga drejtimi i partisë.

Qeverisja e Zoran Zaevit
Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.

Gjatë këtij mandati, Zaevi mori përsipër vendime të rëndësishme, siç është ai me Greqinë për ndryshimin e emrit kushtetues në “Maqedoni e Veriut”, e cila deri para Marrëveshjes së Prespës së arritur më 17 qershor 2018, quhej “Republika e Maqedonisë”.

Pavarësisht kritikave të shumta në opinion lidhur me këtë marrëveshje, si dhe negociatave më pas me Bullgarinë për Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që po ashtu konsiderohet si e dëmshme për interesat kombëtare maqedonase, Zoran Zaev fitoi edhe zgjedhjet e rregullta parlamentare, që u mbajtën në qershor të vitit 2020.

Artikuj të ngjashëm