E martë, 7 Dhjetor, 2021
spot_img

Qeveria i del në mbrojtje u.d. së kryeshefit të “Trepçës”, Kurti premton investime multimilionëshe

- Advertisment -spot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka ofruar mbështetjen e Qeverisë ushtruesit të detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, pas sulmit fizik që pësoi ky ditë më parë në vendin e punës, për çka të dyshuar janë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.

Në një konferencë për media pas vizitës që i bënë “Trepçës”, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë premtuar investime multimilionëshe.

Kurti në deklaratën për media ka thënë se ka marrë informata se në Trepçë ka pasur prodhim të madh me nxjerrje të 20 mijë ton të xeheve.

Është lajm i mirë për Trepçën që çmimet e metaleve janë ngritur. Plumbit e zinkut të larta si rrallëherë. Mbi 3500 dollarë për ton zinku dhe 2500 dollarë për ton plumbi. Jemi të lumtur që kur ishim në qeverisje pranverën e kaluar e kemi dëshmuar edhe te udhëheqja edhe te punëtorët se jemi të interesuar për Trepçën. E kemi bërë konkretisht e materialisht. I patëm ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën. Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë 70 milionë euro për investime në Trepçë për vitet 2022-2023. Projekti për Fondin Sovran e ka vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik Trepçën.

Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës

Pas kësaj, Kurti është marrë me incidentin e fundit në Trepçë ku Abdurrahmani është sulmuar në vendin e tij të punës dhe të dyshuar për rastin janë punonjës të kësaj ndërmarrjeje.

U njoftova hollësisht mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Trepçë. Na vjen keq se çfarë ka ndodhur. Sulm i organizuar i dhunshëm mbi udhëheqjen. E dënojmë ashpër këtë sulm të tillë që është i drejtuar kundër Trepçës dhe s’është në të mirë të Kosovës. Zotohem si kryeministër se s’do të ketë as individë e as grup më të fuqishëm se shteti. Ata që synojnë të jenë më të fuqishëm, bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë. Jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së kryeshefit është Enis Abdurrahmani dhe e ka mbështetjen time të plotë bashkë me Bahriun që është kryesues i Bordit këtu. Këshilli grevist ka bërë kërkesë që ata që e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve që s’dihet krejt kush janë, që këta që i kanë paraqitur deklaratat në polici të tërheqin ato. S’u ka mjaftuar që e kanë sulmuar, por kërkojnë që tash këta të tërheqin deklaratën që e kanë pësuar dhunën. Kjo është e pashembullt dhe s’do të ndodhë. Edhe bordi aktual edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit e kanë mbështetjen e plotë tonën. Edhe punëtorët e kanë mbështetjen e plotë, por ne i ftojmë të mos bien pre e një këshilli grevist që kërkon që të tërhiqen deklaratat në Polici.

Tha Kurti

“Ndoshta janë mësuar kështu që të tërhiqen deklaratat, por në qeverinë tonë viktimat nuk do të tërhiqen”, ka thënë ai më tej, teksa ka komentuar kërkesën e këshillit grevist për tërheqjen e deklaratave.

Kurti po ashtu ka thënë se Qeveria e tij është e fokusuar në zhvillimin e Trepçës, teksa ka shtuar se synimet janë në shtim të punëtorëve e freskim të tyre, duke u nisur nga fakti se mosha e minatorëve konsiderohet e shtyrë.

Kurti ka refuzuar të përgjigjet për çështje të tjera, si ajo e targave.

/observeri/

Lexo edhe: Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës më 2021 pritet të jetë 7.1%

Artikuj të ngjashëm