E enjte, 9 Dhjetor, 2021
spot_img

Punëtorët e Ferronikelit kërkojnë ndihmë nga shteti, Qeveria u thotë t’i drejtohen menaxhmentit

- Advertisment -spot_img

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Ferronikelit” thotë se Qeveria duhet t’ua bëjë zgjidhjen punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje që kanë mbetur pa punë si pasojë e ndërprerjes së prodhimit, ndërkohë që zyrtarë qeveritarë thonë se punëtorët duhet t’i drejtohen për këtë menaxhmentit të kompanisë.

Fehmi Nika, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Ferronikelit”, ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se ata e kanë informuar menaxhmentin për gjendjen e tyre, mirëpo kërkojnë ndihmën e Qeverisë sepse kanë mbetur pa paga.

Nika ka thënë se as Qeveria nuk po u kthen përgjigje.

S’kemi marrë kurrfarë përgjigje as prej kryeministrit as prej askujt në Qeveri. Ne kemi kërkuar prej kryeministrit të takohemi dhe t’i paraqesim kërkesat tona por nuk kemi gjetur përgjigje. Ne nuk dimë ku të drejtohemi, në kompaninë tonë ne kemi hulumtuar të gjitha mundësitë për gjetjen e një mundësie, por kompania nuk ka mundësi për të ofruar paga pa punuar dhe prodhuar. Në të gjithë botën ka ndodhur shtrenjtimi i rrymës. Edhe ne si kompani na ka prekur kjo. Ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje edhe te shteti jonë. Nuk e dimë ku të drejtohemi tjetër përveç se te institucionet tona.

Fehmi Nika – Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Ferronikelit”

Lidhur me protestën e mbajtur sot të punëtorëve të Ferronikelit para Qeverisë së Kosovës, Nika ka thënë se ata nuk po kërkojnë që Qeveria t’ua japë pagat, por t’ua gjejë një zgjidhje.

Për ne kishte me qenë më së miri që të punojmë, por ne nuk jemi ata që mund ta dimë se cila është zgjidhja më e mirë. Më së miri kishte qenë që të punojmë dhe t’i realizojmë të ardhurat tona djersën tonë. Ne nuk po kërkojmë që Qeveria të na jap pagat por ta gjejë një zgjidhje.

Tha Nika

Ndërkaq, zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, ka thënë se punëtorët është dashur t’i drejtohen menaxhmentit të Ferronikelit.

Punëtorët e Ferronikelit më mirë kishte me qenë që të konsultohen me menaxhmentin e tyre. Adresa e parë që ishte dashur sindikata dhe punëtorët, ishte dashur të kërkojnë takime dhe konsultime me menaxhmentin e Ferronikelit.

Mentor Arifaj – Zëvendësministri i Ekonomisë

Sipas tij, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ai i Financave, Hekuran Murati kanë vizituar disa herë Ferronikelin pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike në berzat ndërkombëtare, prej të cilave varet edhe furnizimi i kësaj kompanie me energji, dhe se po shqyrtohet korniza rregullative dhe ligjore e mandej në bazë të saj të vendoset diçka.

Çmimi në berza është ndryshuar dhe kësisoj në tërë Evropën çmimi i energjisë elektrike është dyfishuar ose trefishuar dhe kjo i ka prekur këto ndërmarrje. Jemi duke e shqyrtuar kornizën rregullative dhe ligjore e mandej në bazë të saj do të vendoset. Vendimi do të jetë i njëjtë ose i ngjashëm për tri ndërmarrjet.

Tha Arifaj

Ai ka përmendur edhe disa praktika ndërkombëtare, sipas të cilave qeveritë i kanë ndihmuar ndërmarrjet private në gjendje të vështirë financiare me marrëveshjen që të rikthehet ndihma, sapo të nisë funksionimi me vlera pozitive.

Arifaj ka thënë se kanë informata se punëtorët e Ferronikelit do të marrin 70% të pagës së muajit tetor dhe 50% të pagës së muajit nëntor./observeri/

Lexo edhe: A ka koalicion të fshehtë LDK-PDK në Podujevë

Artikuj të ngjashëm