E martë, 7 Dhjetor, 2021
spot_img

Politikania boshnjake thotë se ka pasur marrëveshje për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi të përkrahur nga SHBA-të

- Advertisment -spot_img

Politikania boshnjake, Sabina Çudiq, në një shkrim në Facebook, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim e madje edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje për shkëmbim territoresh.

Të mërkurën, teksa ka shprehur kundërshtimet e saj për një plan të Matthew Palmerit, tash person përgjegjës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbikëqyrur programin e reformës zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë, Çudiq ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje ka thënë se ai mund të jetë edhe autor i planit.

Ajo ka thënë se ishte takuar dhe përplasur me Palmerin në Washington në prill të 2019-s, pas një paneli ku ka qenë bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, atëkohë pjesë e ekipit negociator të Kosovës.

Biseda jonë u bë e pakëndshme kur e pyeta direkt se a është në dijeni për ndikimet e përkrahjes së tij (potencialisht autorësisë) për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Po atë ditë, një zyrtar i Ambasadës së Serbisë në Washington, duke menduar se dija më shumë atëkohë, më tha se një marrëveshje është arritur dhe se po kërkohej një moment adekuat e i përshtatshëm që administrata Trump ta paraqiste marrëveshjen si historike.

Sabina Çudiq – Politikane boshnjake

Tutje, Çudiq ka thënë se në mbrëmje në takim me Palmerin kishte ardhur edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA atëkohë, Vlora Çitaku. Madje, sipas boshnjakes, ish-ambasadorja e Kosovës i ka dalë në mbrojtje Palmerit duke më pyetur se “përse po ndërhyja në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë?”

Iu përgjigja se ndikimet katastrofike për Bosnjë-Hercegovinën ishin të pashmangshme, por edhe për tërë Ballkanin. Ditën e nesërme, Çitaku dhe unë ishte paraparë të kishim një takim të përbashkët e të mbyllur në Këshillin Kombëtar të Sigurisë amerikane. Agjenda ndryshoi në minutën e fundit – u informova se do të më duhej të largohesha pas adresimit tim, para se të niste diskutimi për Kosovën. Fola për kërcënimet e sigurisë lidhur me vazhdimin e politikës së zbutjes së forcave destruktive të djathta në BeH.

Tha Çudiq

Sipas Çudiqit, plani për shkëmbim territoresh atëkohë u ndal nga opozita në Kosovë, falë angazhimit në Bashkimin Evropian e Senatin Amerikan.

E planin e Palmerit për reformë zgjedhore në BeH, Çudiq po e kundërshton duke e cilësuar selektiv, të rrezikshëm e destruktiv. Plani i Palmerit parasheh, sipas Çudiqit, “marrjen e vendimeve për Bosnjë-Hercegovinën në Zagreb dhe Beograd dhe në fund shpërbërjen e Bosnjës”.

Presioni i planit të Palmerit është i fokusuar në partitë pro-boshnjake, ka akuzuar ajo duke kërkuar qartësim nga Palmeri për rrjedhjen e planit të tij. Ajo e ka akuzuar Palmerin se nuk po bën presion në palët destruktive në Bosnjë. Çudiq ka kërkuar nga administrata amerikane të distancohet nga qëllimet e Palmerit.

Një ditë para seancës në Kongres për angazhimin amerikan në Ballkan, ajo ka thënë se është rasti që SHBA-ja të vendosë për orientimin e saj në Bosnjë ose “të shkatërrojë dekada të trashëgimisë së saj në Ballkan”./observeri/

Lexo edhe: Kryeministri Kurti kërcënohet me jetë

Artikuj të ngjashëm