E premte, 20 Maj, 2022
spot_img

Për çka po hetohet djali i Xhabir Zharkut ?

- Advertisment -spot_img

Ish kryetari i Komunës së Kaçanikut Xhabir Zharku, ka dalë para gjykatësit në Ferizaj për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare. Por seanca ndaj tij dështoj të nis.

Mbrojtësja e të akuzuarit, Zharku, avokatja Albana Kelmendi tha se kërkojnë përjashtimin e prokurorit Rasim Maloku.

Avokatja Kelmendi tha se janë në dijeni se është duke u zhvilluar një procedurë penale e cila është në fazën e hetimit në Prokurorinë e Gjilanit e cila ka të bëjë me kanosjen e prokurorit Maloku, ku sipas këtij hetimi në cilësi të palës së dëmtuar janë Rasim Maloku dhe djali i tij Afrim Maloku.

Përveç dy personave të tjerë, i dyshuar në këtë rast është edhe djali i Xhabir Zharkut. Për këtë arsye tha se kanë kërkuar përjashtimin e prokurorit pasi konsiderojnë se kanë konflikt interesi.

Kështu, pas propozimit për përjashtim të prokurorit Rasim Maloku, seanca e sotme u ndërpre dhe e njëjta u shtye për kohë të pa caktuar.

Lexo edhe: SHBA dërgon edhe një të dërguar tjetër për Europë

Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, Zharku ishte deklaruar i pa fajshëm në akuzën e Prokurorisë, duke mos e pranuar fajësinë në asnjërën pikë të aktakuzës.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

Gjithashtu Xhabir Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi duke iu shmangur vuajtjes së dënimit. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa në qershor  2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati për ekzekutimin e dënimit ndaj tij.

/Observeri/

Artikuj të ngjashëm