Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në SHBA me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
Osmani gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e marrëdhënies së fuqishme mes Kosovës e SHBA-së.
Ndërsa ajo ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën gjithnjë e më të rrezikshme të Rusisë e Kinës.
Osmanit në anën tjetër i është konfirmuar mbështetja për Kosovën nga administrata e presidentit Joe Biden.
Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Për më tepër, Presidentja theksoi përkushtimin e plotë të Kosovës për angazhim aktiv në dialogun Kosovë-Serbi, i cili siç është thënë edhe nga Presidenti Biden, duhet të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Presidentja Osmani theksoi se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, ndaj potencoi se në këtë drejtim Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës Ajo mori konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të përbashkëta. Në vazhdën e takimeve të ditës së sotme, Presidentja Osmani do të takohet edhe me nënsekretaren e shtetit, znj.Victoria Nuland si dhe me zyrtarë të tjerë të Departmentit Amerikan të Shtetit.
Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës