E hënë, 6 Dhjetor, 2021
spot_img

Nis numërimi i votave me postë, hetohen edhe 10% e vendvotimeve të çdo komune

- Advertisment -spot_img

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar procesi i numërimit të votave jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës, gjatë periudhës një muajshe 15 shtator – 15 tetor 2021.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media tha se në QNR po vazhdojnë aktivitetet e parapara me planin operacional të miratuar nga KQZ-ja.

Janë dy aktivitete të rëndësishme: numërimi i votave jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës; dhe hetimi i 10% të vendvotimeve të çdo komune, të cilat i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale

u shpreh Elezi.

Ai shtoi se gjatë periudhës së votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime.

Pas vlerësimit dhe verifikimit nga shërbimi votues, brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga persona të njëjtë (168)

u shpreh Elezi.

Tutje zëdhënësi i KQZ bëri të ditur se pas përfundimit të numërimit të këtyre fletëvotimeve, në ekran do të shfaqet rezultati i tyre.

Duke folur për hetimin e 10% të vendvotime të çdo komune dhe që i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale, Elezi theksoi se këto vendvotime që do të hetohen, e që në total janë 255 vendvotime dhe se të njëjtat janë përzgjedhur rastësisht dhe që gjatë pranimit të materialit të tyre nuk është vërejtur ndonjë parregullsi.

Hetimi i tyre ka për qëllim që të vërtetojë nëse këshilli i vendvotimit ka bartur në mënyrë të saktë rezultatin/votat nga Fleta Llogaritëse e Kandidatëve në Formularin e Rezultatit të Kandidatëve. Fleta Llogaritëse e Kandidatëve, është një fletë pune ku regjistrohen votat e kandidatëve gjatë numërimit, para se ato të barten në Formularin e Rezultatit të Kandidatëve. Sipas procedurës, nëse nga hetimi rezulton se ka ndryshime dhe votat nuk janë bartur në mënyrë të saktë, atëherë pas vendimit të KQZ-së do të hapet kutia e votimit për ta saktësuar gjendjen

tha Elezi.

I pyetur se kur KQZ-ja do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, Elezi ka lënë të kuptohet se kjo do të bëhet brenda dy-tre ditësh.

Sipas tij, KQZ do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave pasi të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, që sipas planifikimit tonë do të numërohen të hënën, si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme.

Artikuj të ngjashëm