E shtunë, 3 Dhjetor, 2022
spot_img

Nis gjyqi i parë në Gjykatën Speciale

- Advertisment -spot_img

Të mërkurën (15 shtator) nisi gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Ky gjykim mbahet kundër Salih Mustafës, i akuzuar për krime lufte si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Për akuzat ndaj tij, Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Gjykimi nis në orën 09:30 në Hagë dhe transmetohet me një vonesë prej 45 minutash.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, në ditën e pare të gjykimit kryegjykatësja e Trupit Gjykues do të hapë gjykimin dhe do ta informojë të akuzuarin për të drejtat dhe obligimet e tij.

Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë tri orë për deklaratën e vetë hapëse.

Më pas, mbrojtësja që përfaqëson viktimat pjesëmarrëse do të ketë një orë e gjysmë për deklaratën e saj hapëse.

Gjykatësit kanë bërë të ditur se prokuroria do të ketë 87 orë për paraqitjen e provave të veta. Prokuroria ka plan të thërrasë 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë në sallën e gjyqit.

Përveç Mustafës, procese gjyqësore pritet të nisin edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit./REL/

Artikuj të ngjashëm