E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Muhaxheri paralajmëron vazhdim të koalicionit me PDK-në në Pejë

- Advertisment -spot_img

Kandidati i LDK-së për kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili ka fituar mandatin e tretë për të qeverisur me Komunën e Pejës ka paralajmëruar vazhdim të koalicionit me PDK-në në këtë Komunë.

LDK-ja në Pejë ka fituar 60.41 përqind të votave duke fituar pa balotazh, mirëpo nuk e ka kaluar 50 për qindëshin për zgjedhjet e Kuvendit Komunal. Sipas rezultatit preliminar LDK-ja në këtë komunë ka fituar 43,37 për qind të asamblesë komunale që aktualisht i siguron 16 asamblistë. Pra, LDK nuk mund të ketë shumicën prej 35 ulësesh në Kuvendin Komunal të Pejës.

Për çka LDK-së i nevojitet koalicioni me ndonjërin prej subjekt përfaqësuara në këtë mandat në Kuvend. Dy mandatet e kaluara LDK-ja ka qeverisur Pejën në koalicion me PDK-në, e cila në zgjedhjet e të dielës ka arritur një përqindje prej 12.83, pothuajse të ngjashme si në zgjedhjet lokale të vitit 2017 me 12.92 për qind. Mandatin e kaluar PDK kishte pesë këshilltarë në Kuvendin Komunal të Pejës. Dhe ky koalicion është i mundshëm edhe në mandatin e tretë, siç thonë në këto dy subjekte.

Duhet t’i presim rezultatet përfundimtare. Nuk kemi asnjë marrëveshje. Nuk kemi biseduar ende. Tek pasi të konsolidohet asambleja komunale dhe do të shohim si mundemi pastaj me bë qeverinë e re në Pejë. Mundësinë e vazhdimit të koalicionit me PDK-në nuk e përjashtojmë, por duhet me i pa një herë si do të jenë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Pejë për Kuvendin Komunal

deklaroi për KOHËN kryetari i rizgjedhur i Pejës dhe kryetar i degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxhiri.

Ai ka përjashtuar prerazi çfarëdo mundësie të ndonjë koalicioni me AAK-në apo LVV-në në Pejë.

Me kundërshtarë nuk bëjmë koalicion. Është mirë ata me mbet në opozitë, se është mirë me pas opozitën e fortë

ka shtuar Muhaxheri.

Vullnetin për të vazhduar bashkëqeverisjen me LDK-në në Pejë e kanë në degën e PDK-së në këtë komunë. Por siç është shprehur nënkryetari i degës së PDK-së në Pejë, Muhamet Haliti, kryesia e kësaj dege ende nuk ka marrë vendim.

Do të takohemi për të biseduar për këtë çështje, por vullneti është të vazhdojmë koalicionin me LDK-në. Do t’i hyjmë bisedës me kërkesat tona, që kemi me i pas me siguri dhe nëse pajtohemi, do të vazhdojë koalicioni

ka thënë Haliti

Bazuar me rezultatet aktuale, me së paku katër këshilltarë në Kuvend, PDK-ja do t’ia bënte LDK-së shumicën në Kuvend.

Artikuj të ngjashëm