E enjte, 2 Dhjetor, 2021
spot_img

Moska fiton debatin diplomatik për trupat paqeruajtëse në Bosnjë

- Advertisment -spot_img

Këshilli i Sigurimit i OKB-së zgjati mandatin e forcës paqeruajtëse EUFOR në Bosnje dhe Hercegovinë, por Rusia mundi qeveritë perëndimore në një luftë diplomatike për epërsi mbi formulimin e rezolutës.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi të mërkurën për të zgjatur me një vit misionin e forcës paqeruajtëse EUFOR të udhëhequr nga NATO, të mandatuar nga OKB-ja në Bosnje dhe Hercegovinë, por Rusia doli me të vetën përsa i përket formulimit të rezolutës, të cilën analistët e përshkruan si një zhvillim shqetësues.

Zgjatja e mandatit të EUFOR-it u pa si thelbësore për stabilitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës në mes të krizës së saj në rritje politike dhe të sigurisë. Forca është vendosur për të garantuar zbatimin e marrëveshjes së paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje në vitet 1992-1995 dhe aktualisht ka rreth 600 trupa.

Rusia abstenoi nga përdorimi i të drejtës së vetos për të bllokuar zgjatjen e mandatit, siç kishte kërcënuar të bënte nëse Përfaqësuesi i Lartë i ri i Bosnjës, politikani gjerman Christian Schmidt, do të përpiqej t’i drejtohej seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të paraqiste raportin e tij gjysmë-vjetor për situatën në Bosnje.

Përfaqësuesi i Lartë është mbikëqyrësi ndërkombëtar i marrëveshjes së paqes të Dejtonit. Deri më tani, Përfaqësuesit e Lartë kanë prezantuar raportet e tyre për situatën në vend në të njëjtat sesione në të cilat është zgjatur misioni i EUFOR-it, çdo nëntor.

Këtë herë, SHBA-ja dhe BE-ja ranë dakord të qetësojnë Kremlinin, të heqin prezantimin e Schmidt nga rendi i ditës dhe të minimizojnë rolin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në tekstin e rezolutës.

Kjo disfatë e dukshme për fuqitë perëndimore në duart e Kremlinit ka zemëruar shumë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. “Kjo është një shenjë e qartë se ne jemi të parëndësishëm nga perspektiva perëndimore”, tha për BIRN analisti politik me bazë në Sarajevë Adnan Huskic.

Rusia dhe Kina nuk e njohin Schmidt-in, i cili u emërua nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e BE-së këtë verë pa një votë miratimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke anashkaluar kështu Moskën dhe Pekinin.

Fillimisht, Moska u duk pak e mërzitur nga emërimi i Schmidt, por u zemërua pasi Përfaqësuesi i Lartë në largim, Valentin Inzko, në ditët e fundit të mandatit të tij në fund të korrikut vendosi një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Serbët e Bosnjës, të cilët janë aleatë të Rusisë, refuzojnë të pranojnë se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

Kremlini e konsideron ligjin që ndalon mohimin e gjenocidit si një “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj Republikës Srpska, tha për BIRN eksperti rus i çështjeve të jashtme Maxim Samorukov.

Moska është e shqetësuar se boshnjakët dhe Perëndimi mund të përpiqen të përdorin ligjin për të minuar apo shfuqizuar Republikën Srpska, qoftë përmes presionit financiar ose duke e shpallur entitetin një “krijim gjenocidal”, shpjegoi Samorukov.

Rezultati i seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të së mërkurës ka shqetësuar shumicën e ekspertëve ballkanas, të cilët e shohin atë si një nxitje të madhe për axhendën separatiste të liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik, i cili ka kërcënuar se do të tërhiqet nga të gjitha institucionet e nivelit shtetëror, përfshirë nga ushtria kombëtare, dhe të rikrijojë forcat e armatosura të vetë Republikës Srpska.

Seanca e Këshillit të Sigurimit ishte gjithashtu një humbje për Përfaqësuesin e ri të Lartë Schmidt, i cili sapo ka filluar punën.

Schmidt e nis mandatin e tij pa asnjë mbështetje. Me këto zhvillime të fundit, ai është plotësisht i privuar nga çdo autoritet dhe substancë.

Adnan Huskic – Analist në Sarajevë

Gazeta The Guardian raportoi këtë javë se raporti i Schmidt në Këshillin e Sigurimit të OKB-së paralajmëron se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës” dhe se ekziston një perspektivë “shumë reale” e një rikthimi në konflikt të armatosur nëse Republika Srpska rikrijon ushtrinë e vet./observeri/

Lexo edhe: Open Balkan/ Edi Rama: Në 2021 në Shqipëri u rrit fluksi i turistëve nga Serbia

Artikuj të ngjashëm