E martë, 27 Shtator, 2022
spot_img

Masat e reja në Kosovë të fokusuara në vaksinim

- Advertisment -spot_img

Ministri i Shëndetësisë në Kosovës, Arben Vitia, tha se të premten Qeveria e Kosovës pritet të miratojë masat e reja kundër përhapjes së pandemisë së COVID-19, në të cilat përfshihet edhe kërkesa për dëshminë e vaksinimit në hyrje të objekteve gastronomisë, qendrave tregtare dhe një sërë institucionesh publike dhe private.

Ai tha se nga data 27 shtator do të fillojë mësimi në shkolla ndërsa aktivitetet sportive në ambientet e mbyllura mund të zhvillohen me 10 për qind të kapacitetit dhe vetëm pasi që pjesëmarrësit të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit ose testet PCR apo antigjen. I njëjti rregull do të vlejë edhe për organizimet kulturore.

Në ambientet e hapura mund të zhvillohen aktivitetet me 30 për qind të kapacitetit me të njëjtin rregull të pjesëmarrjes.

Në fund të muajit gusht, autoritetet në Kosovë vendosën masa të reja kufizimi pasi situata epidemiologjike ishte përkeqësuar.

Më 29 gusht është shënuar dita më tragjike, me 36 viktima, që prej kur është paraqitur pandemia, në mars të vitit të kaluar.

Të enjten (23 shtator) në Kosovë janë regjistruar edhe 2 raste të vdekjes nga koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor ka njoftuar se janë regjistruar edhe 133 raste të reja të të infektuarve bazuar në 4.139 mostra të testuara.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se përkundër faktit se ka një përmirësim të situatës epidemiologjike në Kosovë dhe numri i viktimave ka shënuar rënie, prap se prap, shifrat janë brengosëse.

Edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha se është shënuar rënie e numrit të të hospitalizuarve. Drejtori i këtij institucioni, Valbon Krasniqi, tha se që nga dita e mërkurë (22 shtator) kanë rifilluar shërbimet në ambulance specialistike ndërkohë që nga e hëna e ardhshme (27 shtator) fillon programi i rregullt i operacioneve kirurgjike të natyrave jourgjente.

Të enjten, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në spitalet publike trajtim mjekësor nga COVID-19 po marrin 455 pacientë.

“Prej tyre 361 me oksigjeno-terapi dhe 42 në gjendje të rënduar shëndetësore në kujdes intensive”, thuhet në njoftim.

Ministri Vitia tha se deri të enjten 62 .1 për qind e popullatës mbi 16 vjeç është vaksinuar me një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 38.7 janë vaksinuar me dy doza.

“Nuk kemi alternativë tjetër përveç vaksinimit sepse vetëm në këtë mënyrë parandalojmë një valë të re të pandemisë”, tha Vitia.

Artikuj të ngjashëm