E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Lufta informative e medias në Kosovë

- Advertisment -spot_img

Një pjesë e konsiderueshme e medias në Kosovë, as nuk provon ta fsheh njëanshmërinë në raportimin e tyre. Një numër i madh portalesh, një pjesë e televizioneve, pjesa dërmuese e të ashtuquajturëve analistë, për vite me radhë kanë sulmuar tashmë subjektin më të madh politik, VETËVENDOSJE! (VV), dhe me ndonjë përjashtim, kanë pasur raportime e qëndrime pozitive për partitë politike që mbajtën pushtetin para se VV të merrte mbi 50% të votave.

Lufta informative duhet kuptuar si një aksion për të refuzuar, shfrytëzuar, korruptuar, apo shkatërruar armikun nëpërmjet informacionit.

Në të vërtet, një analizë e raportimit të kësaj pjese të medias edhe para së VV të vinte në pushtet, të krijon përshtypjen se bartësja e pushtetit, që nga themelimi, ka qenë vetëm VV. Ky subjekt ka qenë në thumb të kritikave, sulmeve, e shpesh edhe shpifjeve të pjesës më të madhe të medias.

Një nga arsyet për ktë mund të lidhet me faktin se financat publike u përdorën nga qeveritë e udhëhequra nga PDK, LDK, e AAK, në mënyrë të fsheht, për të përkrahur këtë konglomerat mediash, të cilat kishin pak a shumë të njëjten qasje, sulme të vazhdueshme ndaj VV, dhe raportime pozitive që kishin për qëllim relativizimin e korrupsionit të partive tjera.

Një hulumtim i Kallxo.com dhe i Koha.net, ka ekspozuar një pjesë të këtyre financimeve të dhëna sidomos nga fondet e Telekomit të Kosovës për media që kanë bartur pastaj luftën politike pothuajse ekskluzivisht anti-VV.

Të dhënat financiare të Telekomit të Kosovës tregojnë se kompania dha 30 milionë e 386 mijë e 740 euro në emër të këtyre shërbimeve. Dhe nuk mbaron këtu, një financim tjetër i këtyre mediave vjen edhe nga kompanitë private që përdorën partitë politike për të përfituar nga privatizimet në sektorin publik. Shumë nga to kanë lidhje direkte me partitë politike.

Është një konflikt i thellë dhe fort i motivuar mes partive që mbajtën pushtetin për rreth 15 vite dhe subjektit aktual më të madh politik, VETËVENDOSJES! Ky konflikt para së gjithash rrjedh nga fakti se për gati 10 vjet prani në Parlament, VV ka refuzuar të futet në çfarëdo marrëdhënje me partitë që Kosovën e sollën në krye të listës së vendeve më të korruptuara në botë. Përkundrazi, edhe retorika, por edhe veprimet e VV-së pas ardhjes në pushtet, e kanë vënë atë në një përballje direkte me të gjitha partitë që mbajtën pushtet para vitit 2021. Një përballje që është ngritur në nivele të luftës për ekzistencë. Me fjalë tjera, për PDK-LDK-AAK-AKR-NISMA, VETËVENDOSJE është armiku.

Pra, këtu kemi të bëjmë me dy taborre politike, njëra që kërkon të ketë vazhdueshmëri të një mënyrë të qeverisjes, qeverisje tipike ballkanike, e korruptuar, jotransparente dhe në thelb jodemkoraktike, dhe një force politike si VV që vjen me premtimin dhe pretendimin që do të ndyshojë rrënjësisht trashëgiminë qeverisëse të Kosovës. Së këndejmi kjo ndarje kaq të thellë politike krijon një bazë për të ekzistuar një luftë speciale informative, të cilat rëndom bëhen kundër armiqëve të një vendi apo shoqërie. Këtu armiku nuk është i jashtëm, por është brenda, është një përceptim për një revolucion në qeverisje, që në thelb do ose mund të përbmysë një klasë të tërë politike, e cila është përtej partive politike, pra është në në sektorin e medias, shoqërisë civile, në organet shtetërore, agjenci, biznes, e kudo në elitat që u krijuan për tërë këto vite.

Eh, pikërisht këtu është edhe motivimi  kaq i fortë për ta mbajtur kudo një front anti-VV, i cili herë është i nxitur me financim direkt, e herë është thjesht rreshtim i llojit për ta mbajtur gjallë një trashëgimi politike nga e cila morën të gjithë për gati dy dekada.

Ka media pa fund në Kosovë që 100% të raportimeve e postimeve të tyre i kanë anti-VV, shpesh duke pompuar lajme tërësisht periferike, siç është për shembull një lapsus lingua e kandidatit për Kryetarë të  Kamenicës, Kadri Rrahimaj, i cili në vend të numrit 144 e gaboi dhe tha 1244, dhe ky u shndërrua në një lajm nacional, i përcjellur nga një numër i madh i mediave. Ose kur një shkrim në librin e nxënësëeve që kandidatit të VV për Gjilan, Alban Hyseni, kishte bërë u kthye sërish në një lajm nacional.

Mediat e njëjta që sulmojnë VV-në në vazhdimësi gjatë tërë fushatës, bëjnë tituj 100% pozitiv për kandidatët e partive tjera, pa e bërë paralajmërimin se një shkrim është ose jo i sponsoruar. Kështu, këdo medie i ngjanin organeve partiake për informim gjatë zgjedhjeve lokale, me tituj si, “programi i kandidatit (të LDK) të lë gojë hapur”, por të njëjtit krijojnë mbulesë nëgative për kandidatët e VV-së me ngjarje si ajo e lapsus lingua në Kamenicë, ose nga ato që Alban Hyseni shkruajti në shkollën e mesme në librin e kujtimeve të nxënësëve.

Këto media nuk përtojnë madje të ngatërrohen edhe me çështjet e sigurisë vetëm për ta bërë propagandën e vet. Kështu ndodhi për shembull në rastin kur organet e sigurisë dhan një njoftim për një kërcënim për Kryeministrin Kurti, të cilin lajm me ditë të tëra u munduan ta kthenin në sulm ndaj Kryeministrit dhe VV-së duke u përpjekur që këtë kërcënim të dalur nga organet e sigurisë së vendit ta kthenin gjoja në një alarm fals të Kryeministrit. Pra, këto media nuk kursejnë as çështjet e ndërlidhura me sigurinë kombëtare kur është në pyetje lufta e tyre politike kundër VV-së.

Një mënyrë tjetër e sulmeve bëhet nëpërmjet një pjese të opinionistëve që kanë qenë direkt ose indirekt të lidhur me partitë politike, të cilët të njejtat media mundohen që t’i paraqesin si opinionistë të pavarur. Kështu për shembull ish-këshilltarët e Hashim Thaçit, sot mbushin titujt e portaleve, ose studiot e televizioneve duke bërë „analiza të pavarura“, ndër ta për shembull Ardian Arifaj, Artan Behrami, Adil Behramaj, që të gjithë sot opinionistë që kinse bëjnë analiza të zgjedhjeve dhe çështjeve politike.

Pastaj media në Kosovë ka një “thesar” tjetër që e instrumentalizon kundër VV-së kurdo që u jepet rasti. Janë opinionistët „super-stara“ si Kimete Berisha, ose Milaim Zeka, të cilët kanë një shkallë tjetër agresiviteti. Janë të njohura paraqitjet vulgaro-konspirative të Milaim Zekës, të cilat shpesh duhej censuruar për mosha të reja. Kurse „opinionistja e pavarur“, Kimete Berisha, ka shkuar duke shtuar dozën e agesivitetit, duke arritur kulmin në shpalljen kriminel të ministrit të shëndetësisë, Arben Vitia, në lidhje me vdekjet nga virusi COVID19. Pra, ajo e gjykoi dhe e bëri përgjegjës ministrin e shëndetësisë për „krimin e Pandemisë“, një trend tepër i rrezikshëm dhe i paprecedentë në trajtimin e pandemisë. Në momentet më të errëta të shteteve që u doli tërësisht nga dora lufta kundër virusit, në asnjë rast nuk u kthye në një luftë kaq të egër politike të kundërshtarëve politik, duke shkuar deri aty sa vdekjet nga virusi të konsideroheshin krim.

Mediat dhe opinionistët në këtë mision që kanë marrur përsipër kanë një qasje tërësisht diabolike. Sa për ta ilustruar ktë duhet parë vetëm spinin diabolik që një media i bëri lajmit se politikani serb Dushan Janjiq zbuloi se ish-përfaqësuesi i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka të lidhur kontratë prej 100 mijë euro në muaj nga Vuçiqi. Është e njohur mospajtimi i VETËVENDOSJE me Grenell, por mediat e Kosovës kanë shkuar aq larg saqë edhe këtë lajm ta përdorin kundër VV-së, duke e nxerrur Grenellin në foto nga një i vetmi takim që kishte me lidërin e VV-së, ashtu që në sfond duket baneri tek zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE, mbi titullin se “Serbia jep 100 mijë euro për Grenell..”.

Me një fjalë, mediat dhe opinionistët politik në Kosovë nuk kanë kursyer asgjë në luftën e tyre kundër VETËVENDOSJE! Qasja e tyre është qasje prej terminatorëve, e vetmja mënyrë është që të shkatërrohet tërësisht dhe pa asnjë kompromis. Për ta e keqja e vendit dhe shoqërisë është një subjekt politik, pra subjekti që aktualisht ka përkrahjen më të madhe popullore prej se Kosova është shtet./observeri/

Lexo edhe: MSh njofton se shtetasit e huaj mund të vaksinohen kundër COVID-19 edhe në Kosovë

Artikuj të ngjashëm