E diel, 2 Tetor, 2022
spot_img

LDK reagon pas marrëveshjes në Bruksel

- Advertisment -spot_img

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, shkruan Observeri.

Në njoftim thuhet se LDK-ja i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, si dhe në çështjen e reciprocitetit, si masë e drejtë dhe e domosdoshme në relacionet politike e tregtare me Serbinë.

Po ashtu, LDK-ja ka konsideruar se dialogu është formë e vetme e trajtimit të problemeve ndërshtetërore; së këndejmi pjesëmarrja në dialog e një partie sot në pushtet që për gjithë kauzën e vet historike e kishte kundërshtuar si mjet, ndonëse kthesë e jashtëzakonshme, ishte e vetme dhe e paalternativë, shkruhet tutje.

Lexo edhe: Çitaku për marrëveshjen: Barazon zbatimin e ligjit nga Kosova me huliganët që ngrenë barrikada

Përkundër mbështetjes së opozitës, partia në pushtet, që deri dje refuzonte dialogun si mjet, sot bëri një hap para dy prapa. Ndonëse vlerësojmë arritjen e barazisë në trajtimin e targave, e kundërshtojmë fuqishëm barazimin e paprecedentë dhe me pasoja afatgjata që Qeveria e Republikës së Kosovës i bëri forcave të sigurisë e ligjshmërisë me barrikadat e sponsorizuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës, për herë të parë, barazoi Njësinë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm. I bëri pra palë; palë me të cilën për territorin e vet duhet të merret vesh me Serbinë.

LDK

LDK-ja po ashtu kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi. Vazhdimi i përdorimit të tyre është po ashtu prapakthim. Asnjë tiketë ngjitëse, asnjë masë tjetër, nuk mbulon gabimin e rëndë që Qeveria e Kosovës ka bërë sot. LDK-ja vlerëson se sovraniteti i dorëzuar nuk mund të jetë sovranitet i ushtruar, shkruhet tutje.

Marrëveshja e sotme është marrëveshja e vitit 2016, e quajtur dikur “marrëveshje e turpit” nga po këta që e riaktivizuan sot, por e degraduar, meqë rendin dhe ligjin në veri më nuk mund ta ushtrojnë institucionet e Republikës së Kosovës pa i lejuar Serbia.

/Observeri/

Artikuj të ngjashëm