E martë, 19 Tetor, 2021
spot_img

LDK: Qeveria e Kosovës barazoi Njësinë Speciale me barrikaduesit e jashtëligjshëm

- Advertisment -spot_img

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me marrëveshjen për targat në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. LDK-ja e ka kundërshtuar fuqishëm barazimin e papercedentë, që sipas tyre, i bëri Qeveria Njësisë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm.

Sipas LDK-së, tashmë Serbia do të jep pëlqim ose jo mbi organizimin e ligjshëm të territorit të Kosovës.

LDK-ja i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrimin e sovranitetit në gjithë territorin e vendit, si dhe në çështjen e reciprocitetit, si masë e drejtë dhe e domosdoshme në relacionet politike e tregtare me Serbinë. Po ashtu, LDK-ja ka konsideruar se dialogu është formë e vetme e trajtimit të problemeve ndërshtetërore; së këndejmi pjesëmarrja në dialog e një partie sot në pushtet që për gjithë kauzën e vet historike e kishte kundërshtuar si mjet, ndonëse kthesë e jashtëzakonshme, ishte e vetme dhe e paalternativë. Përkundër mbështetjes së opozitës, partia në pushtet, që deri dje refuzonte dialogun si mjet, sot bëri një hap para dy prapa. Ndonëse vlerësojmë arritjen e barazisë në trajtimin e targave, e kundërshtojmë fuqishëm barazimin e paprecedentë dhe me pasoja afatgjata që Qeveria e Republikës së Kosovës i bëri forcave të sigurisë e ligjshmërisë me barrikadat e sponsorizuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës, për herë të parë, barazoi Njësinë Speciale Policore me barrikaduesit e jashtëligjshëm. I bëri pra palë; palë me të cilën për territorin e vet duhet të merret vesh me Serbinë. Në vend të shtrimit të sovranitetit e ligjshmërisë, sot, Qeveria e Kosovës, u tërhoq dhe dorëzoi këtë sovranitet tek një palë e tretë. Për më tepër, këtë tërheqje e bëri në pajtim me Serbinë që nuk na njeh. Ky vend fqinj, Serbia pra, nga sot jep pëlqim ose jo mbi organizimin e ligjshëm të territorit të Kosovës. Pra pajtimi i Serbisë, se si rregullohet ligjshmëria në Kosovë, ku qëndrojnë Njësitë Policore e kur e në çfarë afati largohen ato, është prapakthim i rëndë. Mbi të gjitha, është precedent i rrezikshëm për të ardhmen; nga tani, sa herë që forcat e rendit shkojnë në Veri për të vënë ligjshmëri, barrikadat ngrihen e Kosova duhet të negociojë me Serbinë për largimin e tyre. LDK-ja po ashtu kundërshton fuqishëm, legjitimitetin e tabelave të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi. Vazhdimi i përdorimit të tyre është po ashtu prapakthim. Asnjë tiketë ngjitëse, asnjë masë tjetër, nuk mbulon gabimin e rëndë që Qeveria e Kosovës ka bërë sot

thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Partia e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku tutje i kujtoi Vetëvendosjes se një marrëveshje të tillë dikur e kishin quajtur si “marrëveshje të turpit”.

LDK-ja vlerëson se sovraniteti i dorëzuar nuk mund të jetë sovranitet i ushtruar. Marrëveshja e sotme është marrëveshja e vitit 2016, e quajtur dikur “marrëveshje e turpit” nga po këta që e riaktivizuan sot, por e degraduar, meqë rendin dhe ligjin në veri më nuk mund ta ushtrojnë institucionet e Republikës së Kosovës pa i lejuar Serbia

përfundoi reagimi i tyre.

Artikuj të ngjashëm