E diel, 25 Shtator, 2022
spot_img

Kurti: Sulmet në Zveçan e Zubin Potok, të nxitura nga Serbia

- Advertisment -spot_img

Të shtunën, në Zubin Potok është djegur ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa në Zveçan ka pasur sulm, sipas Kurtit, me bomba dore, në ndërtesën e regjistrimit të automjeteve, por që ato s’kanë shpërthyer.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sulmet në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe në Zveçan, janë veprime të nxitura nga Serbia.

Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.

Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës

Kurti ka thënë se sulmet e tilla s’do të tolerohen.

Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Përfundoi Kurti

Teksa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cilësoi ato sulme akte kriminale me elemente terroriste, kryeministri ka thënë se sulmuesit po nxiten nga Serbia. Madje sipas tij, ky është provokim për “konflikt serioz ndërkombëtar”

Sveçla ka kërkuar nga qytetarët në veri “që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve.”

Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të tensioneve në veri, me serbët që kanë bllokuar rrugët kufitare në Bërnjak e Jarinjë, pasi që Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës.

/observeri/

Artikuj të ngjashëm