E enjte, 28 Tetor, 2021
spot_img

Kurti për shtyrjen e zgjedhjeve, opozita kundër

- Advertisment -spot_img

Liderët e partive politike bashkë me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani janë mbledhur në takim sot për të diskutuar lidhur me zgjedhjet lokale.

Takimi u zhvillua pas një letre që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i dërgoi Osmanit, me rekomandimin për shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak të situatës së rënduar pandemike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të caktuara tash për tash për datën 17 tetor.

Në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi një valë të re – për shkak se varianti Delta [i koronavirusit] është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor – ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret, ne do ta respektojmë atë. Por, jemi të brengosur, meqenëse nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet parlamentare nacionale, nuk janë 110 kandidatë, janë diku 900 kandidatë… dhe nuk votohet vetëm një herë, por do të kemi edhe balotazh.

tha Kurti

Pas takimit me presidenten Osmani, përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk beson që do të ketë shtyrje të zgjedhjeve duke shtuar se krahas shëndetit të qytetarëve duhet të ketë edhe shëndet demokratik.

Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se në takim nuk ka pasur pajtueshmëri për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, duke e cilësuar si ditë të mirë për demokracinë.

Në situatën e tanishme, unë kam bërë një propozim për shkurtim të fushatës zgjedhore dhe siç jeni informuar kam marrë përgjigje nga AAK dhe PDK. Nuk kam marrë përgjigje nga Kurti. Ne kemi marrë vendim si LDK që do të ushtrojmë fushatë 5 ditë ose fare. Ne besojmë që një skenar për shtyrje t zgjedhje nuk bën të ekzekutohet sepse në pyetje është demokracia. Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe kjo është ditë e mirë për demokracinë.

ka thënë ai

Kosova, javëve të fundit, është përballur me valë të rëndë të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Të hënën, përqindja e të infektuarve ka qenë në rënie të lehtë.

Artikuj të ngjashëm