E martë, 7 Dhjetor, 2021
spot_img

Kurti për Raportin e Progresit: Gjashtëmujorin e dytë kemi shënuar përparim

- Advertisment -spot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar të martën Raportin e Progresit – të përpiluar nga Komisioni Evropian – për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Kurti ka pranuar raportin në një takim që ka pasur me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Kryeministri Kurti ka konsideruar se në gjashtëmujorin e dytë, Kosova ka shënuar shumë përparim, periudhë kur ka nisur udhëheqjen Qeveria e tij.

Ai ka përmendur dy proceset e fundit zgjedhore – në shkurt dhe tetor – duke i konsideruar si transparente dhe me garë demokratike.

Në këta gjashtë muaj të Qeverisë, kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve, që përbën progres të madh shoqëror, që do ta kishin zili, jo vetëm e rajonit, por edhe jo pak vende të Bashkimit Evropian

ka thënë Kurti, në konferencë për media.

Ai ka thënë se në fushën e sundimit të ligjit janë marrë një sërë vendimesh, të cilat do të forcojnë sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kurti ka përmendur edhe fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit.

Dje (18 tetor), numri i të vaksinuarve ka arritur shifrën 1.5 milion, dhe ne mbetemi vendi i parë në rajon sa i përket popullatës së vaksinuar, që paraqet progres të pamohueshëm

ka thënë mes tjerash ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë në konferencë për media se Kosova duhet të arrijë rezultate të prekshme në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit, reforma në administratë e tjera.

Ai ka thënë se nuk ka rrugë të shkurtër në rrugën drejt BE-së.

Përparim i limitur është parë në sistemin gjyqësor. Sfidë mbeten reformat administrave, të cilat janë të cenueshme nga ndikimet politike

ka thënë Szunyog.

Ky raport përfshin gjetjet për të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Në raportin e këtij viti është parë përparim i kufizuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Dokumenti është prezantuar nga Komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Gjatë prezantimit, Komisionari Varhelyi ka thënë se politika e BE-së për zgjerimin është interes strategjik i bllokut evropian për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Raportet janë hartuar për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë) si dhe Turqinë.

Ky dokument, si në vitet e mëparshme, ka paraqitur një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.

Artikuj të ngjashëm