E hënë, 6 Dhjetor, 2021
spot_img

Kuota për diplomatët politikë do të zbresë në 30 për qind

- Advertisment -spot_img

Ndryshimet që pritet të ndodhin në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm do ta zvogëlojnë në 30 për qind kuotën për diplomatët politikë dhe ngritjen në 70 për qind për diplomatët e karrierës.

Ky vendim nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje po konsiderohet se do ta rritë barazinë dhe meritokracinë. Një gjë e tillë po mirëpritet edhe nga shoqëria civile.

Megjithëse ky Projektligj është duke u draftuar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka treguar kur pritet të miratohet në Qeveri dhe të procedohet në Kuvend, ani pse miratimi i tij ka qenë i paraparë në muajin qershor të këtij viti

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka thënë për KosovaPress se përmes ligjit të ri do të largohen të gjitha anomalitë dhe paqartësitë që kanë ekzistuar në të kaluarën.

Duke shpjeguar zvogëlimin e kuotës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se përmes ndryshimeve do të largohet mundësia që politika të ndikojë në anën e ekspertizës së diplomatëve.

Tentimi është që të largohen gjitha anomalitë që ka pasur ligji i kaluar, të largohen të gjitha paqartësitë që kanë ekzistuar në kaluarën. Kur po flas për barazinë, ideja është që të kalojmë prej 50-50, në 70-30. Shtatëdhjetë diplomatë karriere, tridhjetë për qind të nominuar prej çelësit politik. Të zvogëlohet mundësia që politika të ndikojë në anën e ekspertizës së diplomatëve. Jo vetëm që dikush është i afërt me qeverinë dhe institucionet që në atë kohë gjinden në pushtet të merr të drejtën të shkojë si diplomat. E drejta është se njerëzit e zotë të hynë brenda sistemit dhe brenda sistemit

ka thënë ai.

Zvogëlimin e kuotës për diplomatët me çelës politikë e mirëpret, Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, por thotë se diplomatëve të karrierës duhet t’u jepet edhe më shumë mundësi përmes ligjit.

Në këtë moment ndoshta duhet të zbritet në raport 70 me 30 përqind. Kjo i bie që 70 për qind të emërohen nga brenda përmes zhvillimit në karrierë, ndërsa 30 për qind të jenë të emëruar politikë. Me synimin që të ardhmen kjo kuotë të zvogëlohet edhe më shumë për të siguruar më shumë profesionalizëm sesa emërime politike që janë deri tani

ka thënë ai.

Sipas tij, në MPJD ka kuadro të karrierës dhe të njëjtit duhet të avancohen përmes sistemit të meritokracisë dhe të shpërndahen në misione diplomatike.

Shërbim i jashtëm është relativisht i ri dhe është themeluar në vitin 2008. Ky diskutim edhe duhet të bëhet, por gradualisht kapacitetet janë ndërtu brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe duhet të hapet mundësia që njerëzit nga brenda të dëshmohet dhe avancohen përmes sistemit të meritës dhe të njëjtit të shpërndahen në misione diplomatike. Në anën tjetër, nuk rekomandohet që të shkohet dhe të behën zgjidhje me të ngarkuar me punë, pasi ata nuk janë efektiv dhe në pikëpamje ligjore. Gradualisht përmes rekrutimit të ri që duhet të bëhet paralelisht, njëjtën kohë të bëhet edhe zhvillimi dhe gradimi i kuadrove që janë brenda MPJ-së

ka deklaruar Shamolli.

KosovaPress ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe LDK për këtë çështje, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Me anë të Ligjit aktual për Shërbimin e Jashtëm, kuota e diplomatëve politikë dhe karrierës është 50 me 50 përqind. Edhe në qeveritë të kaluara ka pasur tentime për të bërë plotësim-ndryshimin e këtij ligji, mirëpo kanë qenë të pasuksesshëm./KP

Artikuj të ngjashëm