E enjte, 30 Qershor, 2022
spot_img

Si përcaktohet një vdekje nga COVID-19?

- Advertisment -spot_img

Me paraqitjen e COVID-19 në përgjithësi në botë dhe në veçanti në Kosovë, një pyetje e cila është shtruar shpesh është se si përcaktohet nëse një vdekje ka ardhur nga COVID-19 ose jo.

Dhe disa studime tregojnë se njerëzit janë të ndarë për ashpërsinë e virusit.

Madje, gati një në tre qytetarë amerikanë besojnë se coronavirusi nuk ka vrarë aq shumë njerëz sa është raportuar.Ndërkohë nuk kanë munguar as teoritë e konspiracionit.

Realiteti është se caktimi i një shkaku të vdekjes nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë, madje edhe para pandemisë.

Në këtë drejtim, nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Kosovë për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se për definimin e rasteve të vdekura nga COVID-19, apo shkaktarë të tjerë, përdoren udhëzuesit e Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH) “bazuar në Klasifikimin Statistikor Ndërkombëtar të Sëmundjeve”.

Udhëzuesi, të cilit Ministria e Shëndetësisë i referohet, u publikua më 16 prill 2020.

Në këtë udhëzues thuhet se “një vdekje, si pasojë e COVID-19, definohet për qëllime të mbikëqyrjes si një vdekje nga një sëmundje klinikisht e përputhshme në një rast eventual ose të konfirmuar me COVID-19″.

Përveç nëse ka një shkaktar alternativ të vdekjes, që nuk mund të lidhet me sëmundjen e COVID-19 (si p.sh. trauma)

thuhet në këtë udhëzues.

Në mënyrë që një vdekje të përcaktohet se është shkaktuar si pasojë e COVID-19, sipas OBSH-së, nuk mund të ketë një periudhë të shërimit të plotë nga COVID-19 dhe vdekjes së pacientit.

Një vdekje si pasojë e COVID-19, nuk mund t’i atribuohet një sëmundjeje tjetër (p.sh. kancerit) dhe duhet të numërohet pavarësisht gjendjeve ekzistuese që dyshohet se kanë nxitur përkeqësim të COVID-19

thuhet në raport.

Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi formën se si një vdekje hyn në mesin e numrave të vdekjeve ditore nga COVID-19.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha për Radion Evropa e Lirë se “kjo çështje është strikt procedurë e klinicistit që merret me rastin”.

Në Kosovë në muajt e fundit ka pasur një rritje të rasteve të vdekjeve me COVID-19.

Vetëm nga e hëna më 13 shtator deri të dielën më 19 shtator janë shënuar 104 raste të vdekjeve nga COVID-19.

Artikuj të ngjashëm