E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Përurohet impianti në Prizren, zgjidhet problemi i ujërave të zeza për rreth 50 mijë banorë

- Advertisment -spot_img

Me rastin e inaugurimit të impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura në Prizren, kryeministri Albin Kurti tha se fatkeqësisht në Kosovë ende nuk bëhet menaxhimi i ujërave të ndotura, për çka ka vlerësuar lart këtë projekt të mbështetur nga Qeveria Gjermane.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se orientimi drejt një ekonomie qarkore dhe të qëndrueshme kërkon që Qeveria të rimendojë rolin dhe ripërdorimin e ujërave të ndotura dhe llumit.

Fatkeqësisht në Kosovë akoma nuk bëhet menaxhimi ujërave të ndotura, të cilat mbeten një ndër ndotësit kryesor të ujërave sipërfaqësore. Në mungesë të sistemeve adekuate ato shkarkohen direkt në lumenjtë e vendit, duke kontaminuar një pjesë të madhe të tyre. Por, përmes sistemeve dhe trajtimit dhe riciklimit ato mund të ripërdoren në procese industriale dhe bujqësi. Lëvizja drejt një ekonomie qarkore, të qëndrueshme kërkon qe ne të rimendojmë rolin dhe ripërdorimin e ujërave të ndotura dhe llumit. Prandaj, jam i nderuar të marrë pjesë në inaugurimin e impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura në Prizren. Ky projekt me kosto prej 19.5 milionë euro sot fillon operimin e fazës së parë për 50 mijë banorë ose për 35 përqind të qytetit

tha Kurti.

Derisa përfaqësuesi i Qeverisë Gjermane, Ual Oel theksoi se partneriteti me Kosovën tash e 20 vjet ka qenë në mbështetje të shumë projekteve në fusha të ndryshme.

Ai tha se objektivi kryesor i tyre mbetet përmirësimi i shërbimeve për qytetarët e Kosovës.

Objektivi kryesore është që të përmirësohet shërbimi për qytetarët e Kosovës dhe të mbrohen burimet mjaft të rralla që janë në Kosovë

tha Oel.

Zyrtari Qeveritar nga Gjermania dhe kryeministri Kurti paralajmëruan se deri në fillim të vitit të ardhshëm do të përurohen edhe dy impiantë të tjerë, njëri në Gjakovë dhe tjetri në Pejë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde theksoi se ky investim për impiantin, ai për energji të ripërtërishme dhe parku inovativ janë një përparim i madh në Kosovë, sidomos në vitin e fundit.

Kjo është ditë e mirë jo vetëm për qytetarët e Prizrenit, por edhe për Kosovën. Është një shembull për miqësinë Kosovës dhe Gjermanisë. Jam qe një vit ambasador në Kosovë, po shoh përparim të madh në Kosovë, sidomos vitin e fundit. Gjermania është një partner i qëndrueshëm që Kosova të bëhet me gjelbër dhe më e qëndrueshme

tha ai.

Edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura në Prizren.

Artikuj të ngjashëm