E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Mungesa e bordit të BQK-së rrezikon bllokimin e sistemit financiar

- Advertisment -spot_img

Banka Qendrore e Kosovës është pa bord që prej qershorit të vitit 2020 dhe siç thonë nga ky institucion nëse Bordi nuk kompletohet deri në fund të këtij viti, i tërë sistemi financiar rrezikon që të bllokohet.

BQK-ja ka dërguar në Kuvendin e Kosovës emrat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por deri më tani, legjislativi nuk ka marrë vendim.

Zgjedhjen e tyre në mënyrë urgjente e ka rekomanduar edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar më 19 tetor.

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit ka alarmuar për një numër procesesh të nisura dhe që janë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, siç është liberalizimi i sigurimeve, rregullorja për likuiditet etj, por që pa kompletimin e bordit, të njëjtat nuk do të mund të hyjnë në fuqi.

Në mungesë të Bordit, BQK-ja gjithashtu është duke funksionuar pa buxhet të miratuar, pasi ky proces është kompetencë e bordit. Aktualisht, BQK-ja është duke shfrytëzuar një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit paraprak. Kjo vlen vetëm për qëllime të financimit të shpenzimeve operacionale.

Përveç kësaj, BQK-ja ka bërë të ditur se mungesa e Bordit pamundëson miratimin e rregulloreve të reja dhe ndryshimin e atyre ekzistuese, si dhe pengon përafrimin e vazhdueshëm të kornizës rregullative të BQK-së me aktet rregullative të BE-së, parimeve bazë për mbikëqyrje efektive dhe dokumenteve të Komitetit të Bazelit.

Në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se pa kompletimin e bordit, nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të mund të paguajnë as punëtorët.

Pamundësia e shfrytëzimit të buxhetit do të nënkuptonte ndërprerjen e aktiviteteve të BQK-së, me pasoja shumë të rënda për funksionimin normal të ekonomisë, por edhe të vetë shtetit të Kosovës

thuhet në përgjigjen e BQK-së

Dyshime për procesin e përzgjedhjes së bordit të ri


Përzgjedhjen e borit të ri të BQK-së e vlerësojnë si urgjente edhe deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Eman Rrahmani, që po ashtu është pjesë e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka dyshime për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të bordit të BQK-së.

Natyrisht që kanë qenë disa procese për të cilat ka edhe dyshime që nuk kanë qenë të rregullta në aspektin ligjor, dhe mendoj se duhet të shikohet edhe ligjshmëria e tyre te përzgjedhja e kandidatëve potencialë për anëtarë të bordit apo për pozicione tjera që kanë kaluar në BQK dhe i janë drejtuar kuvendit, mirëpo nuk që janë procese krejt të qarta dhe të rregulla

thotë Rrahmani.

Ai thotë se mungesa e bordit ka ndikuar në performancën jo të mirë të BQK-së, por nuk përmend se cilat do të jenë hapat e ardhshëm në kompletimin e bordit.

Opozita: Tentim për politizimin e bordeve


Deputetë të partive opozitare që janë pjesë e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili i dërgon emrat e kandidatëve për miratim në kuvend, thonë se Qeveria Kurti po tenton të mbushë bordet e institucioneve me anëtarë të partisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria po e neglizhon funksionalizimin e bordeve, që sipas tij, pamundëson vendimmarrjen në këto institucione.

Sigurisht që kjo në vetvete sjellë edhe probleme të mëdha në çështjet e vendimmarrjes në këtë institucion. Prandaj, jo vetëm në BQK, por edhe në institucionet tjera të pavarura, po shihet qartë se më shumë e ka politizuar pushteti aktual se që ka ardhur me një platformë, e cila mund të sjellë zgjidhjen e problemeve edhe në këtë rast ka krijuar problem sesa i ka zgjedhur ato

thekson Lushtaku.

Edhe anëtari tjetër i këtij komisioni, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë për Radion Evropa e Lirë se qeveria po tregohet joprofesionale dhe tendencioze, e që sipas tij, mosfunksionalizimi i bordeve të shumë ndërmarrjeve, do të ketë edhe pasoja ekonomike.

Vetë Qeveria Kurti po e neglizhon funksionalizimin e bordeve pikërisht në prag të zgjedhjeve. Çdo institucion vital që nuk ka të formuar bordin dhe nuk funksionon si duhet, ndikon negativisht në Kosovë

thotë Lekaj.

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, megjithatë thotë se në disa ndërmarrje janë hapur konkurset edhe janë në proces të përzgjedhjes së bordeve të rregullta.

Bordi i BQK-së përbëhet prej pesë anëtarëve dhe aktualisht janë vetëm dy anëtarë: guvernatori i BQK-së dhe kryetari i Bordit, të cilit i ka skaduar mandati.

Aktualisht, në Bordin e BQK-së janë tri pozita të lira, për plotësimin e të cilave BQK-ja ka dërguar në Kuvendin e Kosovës listën e kandidatëve për përzgjedhje, të cilët pritet të procedohen tutje për votim nga Kuvendi i Kosovës.

Artikuj të ngjashëm