E diel, 28 Nëntor, 2021
spot_img

Ministrja Haxhiu vizitoi Qendrën Korrektuese për femra në Lipjan

- Advertisment -spot_img

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me Zëvendësministrin Blerim Sallahu dhe zv. Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi, sot vizituan njësinë e grave të dënuara në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Ministrja Haxhiu së bashku me kabinetin e saj dhe përfaqësuesit nga SHKK, vizituan ambientet e banimit të grave të dënuara, me ç’rast nga afër u njoftuan me aktiviteteve e punës, sfidat dhe ankesat kryesore të tyre.

Të dënuarat nga kjo Qendër, shprehën shqetësimin e tyre për punën e Panelit për Lirim me Kusht dhe kërkuan vlerësime reale ndaj kërkesave të cilat vazhdojnë të refuzohen disa herë për arsye të njëjta edhe përkundër raporteve pozitive për rastet e tyre. Po ashtu theksuan nevojën që këto raporte të adresohen edhe në kuadër të Institutit të Faljes për të Dënuarit.

Gjatë këtij takimi u evidentua edhe mungesa e aktiviteteve të lira për gratë e dënuara, sidomos aktiviteteve sportive për të cilat aktualisht Qendra Korrektuese në Lipjan nuk ka kapacitete infrastrukturore.

Ministrja e Drejtësisë premtoi mbështetje të vazhdueshme në avancimin e kushteve për gratë e dënuara, sidomos në përkrahjen e aktiviteteve të punës dhe atyre me karakter ri-socializues dhe ri-integrues. Për këtë, ajo përmendi arritjen e marrëveshjes për mbështetje nga organizata ndërkombëtare në aktivitete artizanale, kurse të gjuhës angleze dhe teknologji informative, trajnime dhe aktivitete pune në art-qeramikë etj.

Ministrja po ashtu bëri të ditur se aspekte të avancimit të të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria si dhe kushteve të punës së stafit korrektues, janë adresuar në projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale si dhe Projektligjin për SHKK-në, të cilat tashmë janë proceduar drejt miratimit në Qeveri si dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës./Observeri/

Artikuj të ngjashëm