Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, njoftoi të enjten se Kosova nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Rizvanolli tha se vendimi është marrë pasi Kosova “ka nevojë për më shumë informata, për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.
Lidhur me këtë ka reaguar Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon në një postim në Twitter e cila e ka përshëndetur vendimin e qeverisë duke e cilësuar si një vendim shumë të mirë.
Cramon e falënderoi Kosovën, pasi që sipas saj, ky është një vendim miqësor ndaj mjedisit.
Vendim shume i mire. Faleminderit për vendimin më miqësor ndaj mjedisit, i cili është më i mirë për klimën tonë, për qytetarët tuaj dhe në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.
ka shkruar Cramon në Twitter
Very good decision. Thanks for the environmental clearly friendlier decision which is better for our climate, for your citizens and in line with the European Green Deal #EU #EGD #transition #energy #renewables #health https://t.co/qsgPZST6Gl
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) September 30, 2021
Qeveria ka diskutuar për disa muaj me radhë me përfaqësuesit e MCC-së për këtë çështje
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa parti opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pranojë investimin amerikan për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.
Sipas tyre, Kosova ka nevojë për rritje të diversitetit të burimeve të energjisë elektrike.
Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësoi vendimin e qeverisë “një hap të gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”.
Po ashtu kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i kishte bërë thirrje kryeministrit Kurti të mbështesë projektin për lidhjen me gazsjellësin, e kritikoi rreptë atë për qëndrimin ndaj projektit.
Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.