E enjte, 30 Qershor, 2022
spot_img

Këshilltari i Asamblesë Komunale në Prizren dënohet me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë

- Advertisment -spot_img

Prizren– Ilir Baldedaj, këshilltar i Asamblesë Komunale në Prizren, është dënuar me 500 euro gjobë pasi kishte pranuar fajësinë për mosraportim të pasurisë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Luan Berisha, pasi i akuzuari më 8 shtator 2021 e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, i akuzuari Baldedaj po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetim të shpalljes së aktgjykimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata në tërësi e ka vërtetuar gjendjen faktike në bazë të pranimit të fajësisë nga i akuzuari Ilir Baldedaj konfrom nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, e se pranimi i fajësisë nuk ishte kundërshtuar nga ana e Prokurorit të Shtetit dhe si e tillë gjykata nuk ishte lëshuar në administrimin e provave.

I akuzuari dënimin me gjobë prej 500 euro është i obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe se nëse dënimi me gjobë nuk mund të paguhet, i njëjti mund të zëvendësohet me dënim me burgim, ashtu që për një ditë burgim do të llogaritet 20 euro, respektivisht 25 ditë burgim.

Lexo edhe: Murati: Aplikimi për shtesat për lehona dhe fëmijë është i qasshëm prej nesër

Aktakuza e ngritur më 8 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Ilir Baldedaj se nga data 1 mars 2020 deri më 19 qershor 2020, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në Prizren, ka vepruar në kundërshtim me nenin 3 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, pika 8 lidhur me nenin 5 dhe nenin 8 paragrafi 1 të Ligjit 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.

Në aktakuzë thuhet se si zyrtar publik, ai është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrime financiare për periudhën 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në atë mënyrë që nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë brenda afatit ligjor deri më 31 mars 2020, i cili afat është zgjatur deri më 19 qershor të vitit 2020 si pasojë e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e pandemisë COVID-19, i njëjti nuk i është përgjigjur kësaj kërkese edhe përkundër faktit se është kontaktuar disa herë përmes telefonit dhe me shkrim.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1, të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

/Observeri/

Artikuj të ngjashëm