E martë, 19 Tetor, 2021
spot_img

Haxhiu: Këshilli Prokurorial ka paguar jashtëligjshëm mbi 800 mijë euro ekspertizat mjekoligjore

- Advertisment -spot_img

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për pagesën lidhur me ekspertizat në fushën e mjekësisë ligjore.

Ajo ka theksuar se nga viti 2016 Këshilli Prokurorial i Kosovës në kundërshtim me ligjin kishte paguar mbi 800 mijë euro për këto shërbime.

Sipas Haxhiut, deri sot pagesat për shërbimet e mjekësisë ligjore ishin bërë në bazë të një udhëzimi administrativ i cili u mundësonte që pagesat të bëhen në xhirollogari private.

Haxhiu tutje ka shkruar se sipas vendimit të nënshkruar sot pagesat për ekspertizat mjekoligjore do të derdhen në buxhetin e Kosovës.

Ky është postimi i plotë i ministres:

“Sot kam nënshkruar vendimin që rregullon pagesën për ofrimin e shërbimeve në fushën e mjekësisë ligjore.

Nga viti 2016, e deri më sot, jashtëligjshëm janë bërë pagesat e ekspertizave mjekoligjore mbi bazën e një udhëzimi administrativ i cili ishte shfuqizuar.

Këto pagesa janë bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe kanë përfunduar në xhirollogaritë private të mjekoligjorëve, ndonëse të njëjtit kanë marrë pagë të rregullt mujore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Pra, nga viti 2016, shuma e paguar nga KPK në kundërshtim me ligjin është mbi 800 mijë euro.

Me nënshkrimin e këtij vendimi janë prodhuar dy pasoja juridike.

E para, është rregulluar ligjërisht dhënia e ekspertizave mjekoligjore dhe e dyta, të gjitha mjetet e paguara nga KPK për mjekoligjoret do të derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës, e jo në xhirollogari private të mjekoligjorëve, siç ka ndodhur deri më tani.

Jemi këtu për vendosjen e ligjshmërisë e cila në këtë rast krijon kursim dhe shtim të buxhetit të shtetit.

Artikuj të ngjashëm