E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Gjykata Themelore në Pejë mbushet me mbishkrime pas dënimit me 8 muaj burgim ndaj dhunuesit të së miturës

- Advertisment -spot_img

Zbulimi i dënimit të një personi me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim për dhunimin e një 15-vjeçareje, ka bërë që Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist të mbushë me mbishkrime muret e Gjykatës Themelore në Pejë.

Para dy muajsh, gjyqtarja Florije Zatriqi pati gjetur rrethana lehtësuese për rastin ku dënimi parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vjet burgim. Në vendimin e marrë, dënimi u arsyetua me “keqardhjen dhe pranimin e fajësisë si dhe në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar dhe tani kanë kaluar 10 vite e se ai ka fëmijë”.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dënimin e ka cilësuar si akt tjetër të dhunës së institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave.

Teksa shteti i Kosovës vazhdon të sillet e të veprojë kundër të gjitha ligjeve të cilat i ka nxjerrë vetë, ‘drejtësia’ është duke punuar kundër grave e në favor të dhunës e dominimit, duke amnistuar burrat kriminelë. Ndonëse Kodi Penal, sanksionon se dhunimi seksual është i dënueshëm me 5 deri në 20 vite burgim, Gjykata Themelore në Pejë, abuzon me diskrecionin e saj në kurriz të vajzave dhe grave. Kjo qasje paternaliste, ku dhunuesit krijohen e mirëmbahen është duke e bërë trupin e vajzave dhe grave çdo herë e më lehtë të cenueshëm e duke i shndërruar burrat në kriminelë-dhunues të vajzave dhe grave. Dhënia e këtij dënimi jolegjitim, teksa e lë në liri kriminelin, na vendosë të gjitha vajzave dhe grave në gjendje pasigurie. Megjithatë, ky vendim përveç që na tronditë dhe na frikëson, është duke na dhënë sinjale që ne duhet të organizohemi për ta fituar sigurinë tonë dhe për të jetuar pa frikë dhe të lira nga dhuna e shumëfishtë institucionale. Përderisa shteti është kundër nesh e për dhunë, ne do të rezistojmë edhe kundër tij e çdo institucioni që ushqehet me shtypje e që në fund derivon përdhunim e vrasje të vajzave e grave

thuhet në reagim.

“Këtu vajzat e gratë dhunohen për s’dytsh!” dhe “Kjo gjykatë është armike e grave!” janë mbishkrimet e vendosura në muret e gjykatës.

Image

Artikuj të ngjashëm