E diel, 26 Qershor, 2022
spot_img

Dita e katërt e reciprocitetit, palët mbeten të palëkundura – ndërkombëtarët kërkojnë të shmanget përshkallëzimi

- Advertisment -spot_img

Dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë, po vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga kamionët dhe veturat e vendosura nga banorët lokalë serbë edhe ditën e katërt, prej kur Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë vendimin e saj për reciprocitet me Serbinë për targat e automjeteve.

Pavarësisht rënies së temperaturave dhe reshjeve të shiut, serbët lokalë kanë qëndruar gjatë gjithë natës së kaluar pranë automjeteve me të cilat kanë bllokuar rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Pozicionet e palëkundura

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mërkurën u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, të mbledhur në afërsi të vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që të lirojnë rrugët e bllokuara.

Ai gjithashtu ka theksuar se është i gatshëm që të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rast të një ftese nga Bashkimi Evropian dhe se Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit sa u përket targave, në qoftë se Beogradi do ta bëjë të njëjtën gjë për targat e automjeteve nga Kosova.

Por, presidenti serb Vuçiq, ka deklaruar se për të biseduar, gjendja duhet të kthehet ashtu siç ishte para 20 shtatorit.

Krahas kërkesave të mëhershme, mediat në Serbi kanë prezantuar edhe kushte të tjera të Vuçiqit në kuadër të procesit të dialogut. Kërkesa e parë është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. E dyta që Kosova të mos dërgojë forca të Policisë me armatim të rëndë në veri pa lejen e KFOR-it dhe pa miratim të Asociacionit. Kushti i tretë është themelimi i dy kompanive serbe për shpërndarje të rrymës në veri dhe i katërti që trupat gjykues për rastet në veri të jenë 2 me 1, në favor të serbëve.

Ndërkombëtarët kërkojnë të shmanget përshkallëzimi

Derisa vazhdojnë të jenë të bllokuara pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, diplomatët e huaj janë vënë në lëvizje. I ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, ka theksuar se duhen veprime të menjëhershme për shmangien e përshkallëzimeve.

Takim i mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për riangazhimin në dialogun e ndihmuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjen e targave dhe çështjet e tjera. Duhen hapa të menjëhershëm për shmangien e përshkallëzimit. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruar që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve

ka shkruar Giacobbe në Twitter.

Ka reaguar edhe përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (PSSP), duke u bërë thirrje palëve që të adresojnë çështjet lidhur me zbatimin e masave në targat përmes mekanizmave të dialogut. Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka thënë se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit.

“Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm dhe shefi i UNMIK -ut, Zahir Tanin, vë në dukje ngërçin e vazhdueshëm mbi zbatimin e masave në targa dhe bashkohet me partnerët ndërkombëtarë në nxitjen e të gjitha palëve për të adresuar çështjet përmes mekanizmave të vendosur të dialogut, në mbështetje të lëvizjes së lirë të personave dhe mallrave dhe në interes të popullatave. PSSP Tanin u përkujton palëve se veprimet e njëanshme bartin rrezikun e përshkallëzimit dhe duhen të shmangen në interesin e paqes, sigurisë dhe sigurisë së popullsive. U bëj thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë udhëheqësi të përgjegjshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes procesit të dialogut politik”.

Që nga e hëna, makinat që hyjë nga Serbia në Kosovë duhet të ndërrojnë targat e tyre me ato të përkohshme, njësoj siç veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi.

Artikuj të ngjashëm