E martë, 7 Dhjetor, 2021
spot_img

Dëshmitari falënderon Ukë Rugovën që ia siguroi vizën italiane

- Advertisment -spot_img

Prishtinë – Dëshmitari Agim Xhata ka falënderuar ish-deputetin Ukë Rugova që ia siguroi vizën italiane shëngen.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin ndaj ish-deputetit Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petanit, Qefser Baholli dhe Izet Beqirit.

Të gjithë këta po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Akuza thotë se Ukë Rugova kishte menaxhuar këtë grup kriminal, raporton Observeri.

E falënderoj familjen Rugova, posaçërisht Ukën për ndihmën që ma ka ofru, edhe në Kosovë jem tu rrnu, faleminderit Ukë shumë prej zemrës

ka thënë dëshmitari duke u drejtuar nga i akuzuari Ukë Rugova.

Dëshmitari Xhata ka rrëfyer se si kur kishte qenë në pozitë të vështirë dhe i papunë, e kishte siguruar vizën italiane nga i akuzuari Rugova.

Unë e falënderoj familjen Rugova, janë kojshi me miqtë e mij dhe njihen me bashkëshorten time. Unë e kam pas një hall, kam qenë i papunë në atë kohë, edhe kom bisedu me miqtë me bashkëshorten për me marrë ni vizë me dalë me punu. Bashkëshortja ime ose vëllai i saj sa më kujtohet kanë bisedu me Ukën për me ma rregullu ni vizë për me mujt me dal jashtë

ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, pasi bashkëshortja ose vëllai i saj ia kishin dorëzuar pasaportën e tij të akuzuarit Rugova, i njëjti pas dy javësh ia kishte kthyer pasaportën së bashku me vizë italiane në të.

Për këtë vizë italiane shengen nuk kam paguar asgjë, bile as falënderime nuk kam mujt me i shpreh Ukës. Se di a është aty e kisha falendëru përzemërsisht, me mujt sot krejtve jau kisha bo vizat. Mua më vjen keq kjo që i ka ndodhë Ukës

ka deklaruar dëshmitari.

Dëshmitari tha se për marrjen e kësaj vize nuk kishte paguar asgjë, përpos sigurimit shëndetësor dhe se me këtë vizë italiane tha se kishte udhëtuar për në Belgjikë.

Në këtë seancë ka dhënë dëshminë edhe dëshmitarja Afërdita Gerguri, e cila ka thënë se në vitin 2012 kishte aplikuar për vizë italiane shëngen në zyrat e Ambasadës së Italisë.

Ajo ka thënë se e ka njohur të akuzuarin Florian Petanin i cili kishte punuar në ambasadë dhe se i kishte ndihmuar, duke e informuar për procedurën e pajisjes me vizë.

Sipas saj, për pajisjen me këtë vizë kishte kryer të gjitha pagesat e nevojshme për aplikim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo tha se as të akuzuarit Petani, e as të akuzuarve të tjerë nuk u kishte dhënë asnjëherë para për t’i kryer ndonjë shërbim për tu pajisur me vizë italiane.

Në seancën e së martës është dëgjuar edhe dëshmitari Edmond Hoxha, i cili ka deklaruar se i akuzuari Astrit Haraqija e kishte pajisur me vizë italiane për t’iu ikur procedurave të gjata të terminëve.

Ai tha se me të akuzuarin Astrit Haraqija njihen që një kohë, për shkak se ky i fundit kishte qenë klient në restorantin “Ultra”, pronar i të cilit kishte qenë dëshmitari.

Astritit ia kam dhënë pasaportën, ia kam lënë në shank të restorantit tim. Me siguri dikush nga kamerierët ia ka dhënë Astritit pasaportën, nuk më kujtohet nëse i kam lënë të holla për shpenzime procedurale për vizë pasi ka kaluar kohë e gjatë

ka thënë dëshmitari.

Artikuj të ngjashëm