Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar rënien më të madhe të jetëgjatësisë prej Luftës së Dytë Botërore, ka treguar një studim i publikuar në revistën shkencore, International Journal of Epidemiology.
Të dhënat e siguruara nga 29 shtete, duke përfshirë, Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe Kilin, kanë treguar se përparimi në jetëgjatësi është kthyer mbrapsht, si pasojë e pandemisë.
Fakti që të dhënat tona tregojnë për një ndikim të madh, të lidhur me pandeminë, tregon sa shkatërruese dhe shokuese ka qenë pandemia në shumë shtete.
Ridhi Kashyap, Mjeke, bashkëudhëheqëse e studimit.
Lexo edhe: Rama pritet nga kryeministri Kurti me ceremoni shtetërore
Në 22 nga 29 shtetet e analizuara, jetëgjatësia ka rënë për më shumë se gjashtë muaj, në krahasim me 2019.
Në shumicën e shteteve, burrat kanë dalë më keq sesa gratë.
Burrat në Shtetet e Bashkuara janë përballur me humbjen më të madhe të jetëgjatësisë – 2.2 vjet – në krahasim me 2019, të përcjellë nga burrat në Lituani me një ulje prej 1.7 vjet.
Në Shtetet e Bashkuara, rritja e mortalitetit është raportuar kryesisht te personat nën moshën 60-vjeçare, derisa në Evropë, viktimat kanë qenë kryesisht mbi moshën 60-vjeçare.
Studimi është kryer duke analizuar të dhënat e vitit 2020, gjatë së cilit, 1.8 milion persona kanë vdekur si pasojë e pandemisë në gjithë botën.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, nga marsi i vitit 2020, kur ka shpërthyer pandemia, e deri më tani, janë regjistruar rreth 4.7 milionë viktima me koronavirus në botë./REL