E premte, 3 Dhjetor, 2021
spot_img

Cilat masa kufizuese do të zbatohen në ditën e zgjedhjeve?

- Advertisment -spot_img

Komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë do të duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë dëshminë se janë negativë në koronavirus apo se e kanë kaluar sëmundjen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar partive politike që të zbatojnë këtë masë.

Por, ky rregull nuk do të vlejë edhe për votuesit, konfirmojnë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Qytetarëve do t’iu kërkohet të mbajnë maska mbrojtëse dhe distancë fizike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë se ky institucion u ka dërguar partive politike një shkresë përmes së cilës ka kërkuar nga ato që të dërgojnë në qendrat e votimit vetëm komisionerë që janë të vaksinuar apo që posedojnë dëshminë e testeve për COVID-19 .

Përmes kësaj shkrese, subjektet politike janë informuar se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të detyrueshme edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, prandaj kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyrë, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe nga vëzhguesit do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës

tha Elezi.

Në mbledhjet e radhës të KQZ-së, sipas Elezit, do të merret vendimi përmes së cilit do të caktohen personat përgjegjës të cilët kanë për detyrë të kërkojnë dëshmitë e vaksinimit dhe testin e COVID-19 nga ana anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe vëzhguesve.

Nga votuesit KQZ-ja kërkon zbatimin e masave siç është mbajtja e maskës, distanca fizike prej dy metrash gjatë kohës kur janë duke hyrë apo brenda vendvotimit.

Votuesit duhet ta mbajnë maskën gjatë gjithë kohës, përveç kur duhet të identifikohen nga ana e anëtari i këshillit të vendvotimi

tha Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se do të vendosë dezinfektues në hyrje të secilit vendvotim.

Në Kosovë, situata epidemiologjike është përmirësuar pas një përkeqësimi që filloi në muajin gusht. Autoritetet ndërmorrën masa të reja kufizuese duke shpejtuar edhe fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Për personat që janë të infektuar me COVID-19, KQZ-ja do të caktojë ekipe mobile të cilat do të shkojnë në adresë të tyre për t’iu mundësuar pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.

KQZ-ja kishte vepruar njëjtë edhe në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur në shkurt të këtij viti.

Artikuj të ngjashëm