E hënë, 23 Maj, 2022
spot_img

Talebanët shpallin Qeverinë e re të Afganistanit

- Advertisment -spot_img

Talebanët njoftuan se kanë krijuar Qeverinë e re të Afganistanit, e cila do të udhëhiqet nga njëri prej themeluesve të tyre.

Zëdhënësi i grupit, Zabihullah Mujahid, tha se në krye të Qeverisë do të jetë Mullah Mohammad Hassan Akhund, ndërsa zëvendës i tij Mullah Abdul Ghani Baradar.

Mawlawi Haibatullah Akhundzada do të jetë udhëheqës suprem.

Talebanët kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit më 15 gusht.

Një ditë më herët, ata thanë se kanë marrë nën kontroll edhe provincën Panjshir – zonën e fundit që kontrollohej nga forcat e rezistencës.

Këto të fundit, megjithatë, i hodhën poshtë pretendimet e tilla dhe thanë se luftimet vazhdojnë.

Mujahid i përshkroi emërimet e reja si udhëheqës “në detyrë” dhe tha se mund të ketë ndryshime në të ardhmen.

Një zëdhënës tjetër i talibanëve, Ahmadullah Masiq, konfirmoi për BBC-në se Afganistani duhet të njihet si “Emirati Islamik i Afganistanit” – titull që grupi ka përdorur gjatë sundimit të tij në periudhën 1996-2001.

Akhund, i cili pritet të udhëheqë punët e përditshme të regjimit të ri – diçka e ngjashme me rolin e kryeministrit – është në listën e terrorizmit të Kombeve të Bashkuara qysh në vitin 2001.

Akhundzada, si udhëheqës suprem, do të ketë fjalën e fundit në çështjet politike, fetare dhe ushtarake.

Emërimet e tjera përfshijnë Mawlawi Amir Khan Mutaqqin si ministër i Jashtëm dhe Mullah Mohammad Yaqoobin si ministër i Mbrojtjes./ REL

Artikuj të ngjashëm