Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në Komisionin për Persona të Pagjetur ka folur lidhur me hapjen e arkivave shtetërore të Serbisë.
Duke raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Bislimi ka thënë se i gjithë procesi i vrasjes, varrosjes dhe bartjes në Serbi ka kërkuar një logjistikë të madhe, e këtë, sipas tij, e ka bërë vetëm ushtria dhe policia serbe.
Pas kërkesës sime që në Beograd të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, Petkoviqi (drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë) ka nxjerr kërkesën që të hapen arkivat e UÇK-së, duke u bazuar në fusnotën e një veprimtari, por ne kemi deklaruar se në Kosovë nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore, nga ana jonë nuk ka asgjë komprometuese. Në asnjë rast dhe rrethanë nuk është dakorduar për arkivat e UÇK-së, për të cilat nuk ka dëshmi se ekzistojnë.
Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministër i Kosovës
Bislimi tha se në ato arkiva ka informata që e saktësojnë vendndodhjen e varrezave masive në territorin e Serbisë.
Për hapjen e arkivave shtetërore të Serbisë, ne besojmë dhe shpresojmë që aty do të gjinden informatat që na saktësojnë vendndodhjen e varrezave masive. Janë edhe dikun 1632 persona të pagjetur pjesa më e madhe e tyre besohet se janë në territorin e Serbisë. Meqë gjithçka ka qenë e organizuar nga logjistika ushtarake dhe policore serbe është e logjikshme të pritet që informacionet të jenë të arkivuara në arkivat shtetërore serbe.
Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministër i Kosovës
Tutje, Bislimi tha se edhe nëse Serbia ka shkatërruar arkivat, hetuesit ndërkombëtarë mund të evidentojnë të njëjtat.
Unë nuk e përjashtoj mundësinë që Serbia në ndërkohë i ka shkatërruar këto arkiva por për hetues të mirëfilltë ndërkombëtarë është e lehtë që të evidentohen shkatërrime të tilla dhe të arrihet të ndërtohen lidhje e informatave tjera anësore por për ne është e rëndësishme që të mos ketë pengesa zyrtare.Për aq kohë që Serbia insiston që arkivat e tyre të mbeten të mbyllura ne kemi të drejtën që të dyshojmë se aty ka informata të vlefshme për arsye se Serbia një pjesë të arkivave e ka dorëzuar në Hagë por në mënyrë selektive ka vendosur cilat dokumente t’i dërgojë e cilat jo.
Shtoi Bislimi