E enjte, 28 Tetor, 2021
spot_img

BE-ja kërkon koordinim për veprimet e policisë në veri

- Advertisment -spot_img

Përveç thirrjeve për uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës, reagimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, kanë pasur dallime. Përderisa Aleanca Veri-Atlantike tha se është në kontakt me autoritetet e Kosovës, Bashkimi Evropian tha se nuk ka pasur koordinim paraprak për aksionin kundër kontrabandës së mallrave, që u zhvillua në disa lokacione, përfshirë edhe veriun e vendit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi se nuk ka pasur njoftim paraprak për aksionin e 13 tetorit.

Misioni i EULEX-it është në Kosovë pikërisht për të ndihmuar në forcimin e rendit dhe ligjit dhe për të krijuar ambient të sigurt

tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me aksionin në veri, mjaft kritika ka pasur ndaj reagimit të parë të shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili i quajti “të papranueshme veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara”. Kjo deklaratë u bë më 13 tetor, ditën kur Policia dhe Dogana e Kosovës zhvilloi një aksion kundër kontrabandës së mallrave, aksion që u shtri edhe në komunat në veri të Kosovës.

Deklarata e Borrellit u kuptua nga disa si kritikë ndaj luftës kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, teksa autoritetet në Kosovë thanë se aksioni i 13 tetorit ishte pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

Ndryshe reagoi Aleanca Veri-Atlantike (NATO), që tha se e sheh këtë aksion si “operacion për zbatimin e ligjit në tërë Kosovës” dhe shtoi se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me të gjitha institucionet e rëndësishme të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Kritika ndaj Borrellit
Përveç reagimeve në Kosovë ndaj deklaratës së Borrellit, për këtë deklaratë kishte reagime edhe jashtë Kosovës. Viola von Cramon, deputete gjermane në Parlamentin Evropian, që njëherësh është edhe raportuese për Kosovën, kërkoi nga Borrelli që ta mbështesë luftën kundër krimit të organizuar dhe i kritikoi ato shtete që nuk e luftojnë këtë fenomen.

Institucionet e shtetit që bëjnë punën e tyre meritojnë tërë respektin tonë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet e përditshme policore

ka deklaruar ajo.

Nga disa burime diplomatike të BE-së është dëgjuar se edhe disa shtete anëtare ishin të pakënaqura me prononcimin e Borrellit, por përfaqësuesit e këtyre shteteve nuk mund të dalin publikisht kundër tij. Sidomos kishte pakënaqësi me mungesën e dënimit të dhunës kundër Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që sipas këtyre burimeve, ndihmuan që të krijohej përshtypja se deklarata e shefit të diplomacisë së BE-së, Borrell ishte e njëanshme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth kësaj deklarate, zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme, Peter Stano insistoi se ky prononcim i Borrellit “nuk kishte të bënte me operacionin specifik të policisë, por me kontekstin më të gjerë të situatës në veri dhe raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Le t’i vëmë gjërat në perspektivë. Kjo që përfaqësuesi i lartë ka thënë është se ai ka bërë ftesë që të ndërpriten incidentet. Dhe, siç dihet, ka pasur incidente dhe përleshje në veri të Kosovës midis policisë dhe protestuesve. Ai ka thënë se duhet të ndalen menjëherë dhe ato u ndalën. Ajo që ai tha se veprimet e njëanshme të autoriteteve që rrezikojnë situatën janë të papranueshme, ai nuk i referohej operacionit policor si të tillë për luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit. Ai fliste në parim për atë që ndodhte, jo për herë të parë, në veri të Kosovës

tha Stano.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan – dy komuna në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe – kundërshtuan aksionin e policisë dhe protestuan e vendosën barrikada. Nga përleshjet mes policisë dhe protestuesve, u lënduan dhjetë policë dhe dhjetë protestues.

BE: Të evitohen veprimet e njëanshme në veri të Kosovës
Stano shtoi se dihet që situata në këtë pjesë të Kosovës është shumë e brishtë dhe e ndjeshme dhe sipas tij, secili veprim që ndërmerret në këtë pjesë, është po ashtu i ndjeshëm dhe duhet të merret parasysh.

Çfarë ne kemi thënë dje, e kemi thënë edhe më herët dhe është që në këtë pjesë të Kosovës duhet të evitohen veprimet e njëanshme, në mënyrë që të mos nxitet konfrontim i mëtejmë dhe rritje e tensioneve. Kjo do të ishte në kundërshtim me gjithë atë që ne po përpiqemi ta bëjmë: të sigurojmë që të gjitha çështjet të bëhen në mënyrë të koordinuar dhe të vihen në tryezë të dialogut. Kjo është esenca e asaj që përfaqësuesi i lartë tha dje dhe e ka thënë edhe në të kaluarën. Pra, të parandalohen tensionet e shkaktuara nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara

tha Stano.

Në pyetjen se a mund të shihet reagimi i BE-së si thirrje që të luftohet krimi i organizuar në tërë rajonin, por të ketë përmbajtje në veri të Kosovës, Stano është përgjigjur:

Sa më shumë koordinoheni aq më efikas do të jeni. Nuk bëhet këtu fjalë për komentet tona rreth substancës së luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, për atë që ndodhi dje dhe reagimi i BE-së ishte rreth situatës e cila ishte rezultat i veprimeve të caktuara, që duket se nuk ishin koordinuar dhe diskutuar me kohë rreth një kontesti të veçantë për një situatë të ndjeshme në veri të Kosovës. Konteksti i asaj që ndodh në veri të Kosovës nuk është i lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Është i lidhur me çështjen më të gjerë mes Serbisë dhe Kosovës

tha ai.

Stano ka thënë se “BE-ja, përfshirë edhe EULEX-in si përgjegjës i dytë i sigurisë, nuk ishin të informuar në mënyrë paraprake nga autoritetet e Kosovës për këtë operacion. Misioni i EULEX-it është në Kosovë pikërisht për të ndihmuar në forcimin e rendit dhe ligjit dhe për të krijuar ambient të sigurt”.

Vetë Bashkimi Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën vitin e kaluar tërhoqi vërejtjen se “krimi i organizuar paraqet sfidë të veçantë në veri të Kosovës”.

Artikuj të ngjashëm