Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke hequr bllokadat rrugore” në veri të Kosovës.
Çdo provokim i mëtejmë apo veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme
tha Borrell në një deklaratë për media.
Sipas shefit të diplomacisë së BE-së, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të shtensionuar situatën, duke shtuar se Brukseli mbështet këto përpjekje.
Si liderët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë janë përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë e komuniteteve lokale. Këtë qëndrim ia kam bërë të ditur edhe presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti gjatë bisedave të zhvilluara kësaj jave
tha ai.
Borrell tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të adresuar të gjitha çështjet e hapura mes palëve, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes.
Të dy kryenegociatorët do të vijnë në Bruksel në ditët në vijim, dhe ky është hapi i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë dhe të kenë mandat që të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që është në interesin e qytetarëve
tha Borrell.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha se pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të favorshëm për pajtim dhe stabilitet rajonal, pasi sipas tij, kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
Serbia and Kosovo need to unconditionally de-escalate the situation on the ground. Any further provocations, unilateral or uncoordinated actions are unacceptable.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) September 26, 2021
The EU-facilitated Dialogue remains the only platform to address & resolve all open issues.https://t.co/GVv54dKRBb
Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak mbeten të bllokuara, për shkak të kundërshtimeve të serbëve lokalë lidhur me masën e reciprocitetit për targat.
Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.