E hënë, 5 Dhjetor, 2022
spot_img

Avokatët: Përgjigja e qartë e policisë mund të jetë vendimtare për lirimin e krerëve të UÇK-së

- Advertisment -spot_img

Një letër elektronike tejet e rëndësishme pritet të arrijë në ditët në vazhdim, në adresën e drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Disa sqarime nga ky i fundit, do t’i kërkojë gjyqtari paraprak në rastin e krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, Nicolas Giju.

Gjyqtari francez do të interesohet konkretisht, se cilat janë kapacitetet e Policisë së Kosovës për zbatimin e një numri masash, në rast se krerët e UÇK-së lirohen me kusht. Përfshirë monitorimin e komunikimeve elektronike dhe masave tjera të arrestit shtëpiak.

Krejt kjo, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit e cila pranoi ankesat e avokatëve dhe urdhëroi gjyqtarin Giju që të kërkojë sqarime shtesë nga Policia e Kosovës.

Policia në një përgjigje për RTK-në, ka thënë se nëse kërkohen sqarime dhe garancë shtesë nga Dhomat e Specializuara, janë të gatshëm të bashkëpunojnë për gjithçka.

Policia e Kosovës është në gjendje të zbatojë në të gjitha aspektet në praktikë vendimin/urdhrin gjyqësor të nxjerrë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, nëse një gjë e tillë kërkohet me urdhër gjyqësor kërkohet nga Policia e Kosovës

thuhet në përgjigje.

Për avokatët në Kosovë, përgjigjja e Policisë mund të jetë vendimtare për lirimin ose jo me kusht të krerëve të UÇK-së.

Është obligim i gjyqtarit të procedurës paraprake që të parashtrojë pyetje konkrete në drejtim të Policisë, në lidhje me zbatimin e kushteve që mund të imponohen në një vendim për lirim me kusht. Sepse, Gjykata nëse e aprovon lirimin me kusht mund të vendosë disa kufizime për të pandehurit, dhe do të kërkohet nga Policia që të jep garancione të qarta se mund ti zbatojnë ato masa në praktikë

shprehet avokati Artan Qerkini.

Policia e Kosovës muaj më parë kishte shprehur gatishmëri ta zbatojë secilën masë të Speciales. Por, që dy letrat e kaluara, u vlerësuan se ishin të përgjithshme.

Vendimi i Apelit, vlen njëjtë për Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Kurse, për ankesën e Hashim Thaçit, ende nuk ka vendim publik.

Artikuj të ngjashëm