E shtunë, 16 Tetor, 2021
spot_img

Aksioni në veri: Të lënduar, të arrestuar dhe barrikada

- Advertisment -spot_img

Gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore. Ky është epilogu i një aksioni kundër kontrabandës së mallrave të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës, që u prit me kundërshtime në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan. Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare

thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës dhe shtohet se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar.

Policia e Kosovës njoftoi se po ashtu ka identifikuar dhjetë persona që dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandë dhe të cilët janë shpallur në kërkim.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit

thuhet në njoftim.

Ndërkaq, dhjetë persona të përkatësisë serbe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës së Veriut. Tetë persona janë liruar nga spitali, kurse dy janë ndaluar për trajtim, tha për Radion Evropa e Lirë, Zllatan Ellek, drejtor i Qendrës Shëndetësore në këtë komunë.

Njëri u qëllua në pjesën e pasme në zonën e shpatullës së djathtë, brinja e tij e djathtë ishte thyer, plumbi doli në pjesën e përparme të qafës. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent, që ia ndaloi gjakderdhje dhe aktualisht është në kujdes intensiv, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Një pacient tjetër u pranua me dëmtime në zonën e gjoksit. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ai gjendet në departamentin e kirurgjisë

tha Ellek dhe shtoi se të lënduarit kryesisht pësuan lëndime nga plumbat e gomës, gazi lotsjellës dhe shok bombat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një postim në Facebook se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale

tha Kurti.

Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

Artikuj të ngjashëm