E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

102 kandidatë do të intervistohen për anëtarë të Bordit të RTK-së

- Advertisment -spot_img

Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së, ka shqyrtuar sot listën e kandidatëve të propozuar, me ç’rast janë eliminuar 30 kandidatë për shkak të mos plotësimit të kritereve për aplikim.

10 prej kandidatëve janë eliminuar për shkak se kanë arritur moshën e pensionimit, derisa pati të tillë që u eliminuan për shkak të mos plotësimit të dokumentacionit të kërkuar edhe përkundër që u është dhënë mundësia për një gjë të tillë. Për intervistim do të ftohen 102 kandidatë që i kanë plotësuar kriteret, nga gjithsej 132 sa kanë aplikuar.

Kryetari i këtij komisioni, Armend Zemaj, tha se në mesin e këtyre 30 personave që nuk ftohen për intervistim janë edhe 10 kandidatë që kanë arritur moshën e pensionimit.

Sipas listës që e kemi, 10 kandidatë përjashtohen nga lista për shkak të pensionimit, me thënë të drejtën mua personalisht më vjen keq që kjo pikë është kështu, por kështu e kemi opinionin ligjor siç na është thënë edhe nga konkurset e fundit. Dy kandidatë janë të komunitetit tjera jo shumicë, një kandidat nuk ka treguar nënshtetësi apo nuk ka paraqitur nënshtetësi të Kosovës dhe nuk ka paraqitur asnjë aplikacion sipas kushteve të konkursit edhe pse i është dhënë afat dhe tre kandidatë janë evidentuar në kundërshtim me nenin 27 të Ligjit për RTK-në… Nga të gjitha aplikimet 30 persona nuk ftohen për intervistim për arsye të ndryshme të cilat bien në kundërshtim me ligjin dhe procedurat e konkursit.

Armend Zemaj – Krytar i Komisionit për përzgjedhjen bordit të RTK-së

Anëtarët e këtij komisioni kanë diskutuar nëse duhet të vazhdohet tutje me procedura të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së, përderisa ka një ankesë në Kushtetuese rreth shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur dilema nëse duhet të vazhdohet tutje me këtë proces derisa Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim për pezullimin e vendimit të shkarkimit të Bordit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil.

Përderisa kemi një ankimim nga AAK-ja për vendimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së, çka nëse gjykata na sjell një vendim, çka nëse ne kemi një vendim të gjykatës, të cilin nuk dua ta paragjykoj, por cili do të jetë roli i këtij komisioni dhe si do të veprojmë ne në rast se kemi precedentë të njëjtë.

Blerta Deliu-Kodra – Deputete e PDK-së

Deputetja e LVV-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se duhet të vazhdojnë me procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe nëse do të ketë vendim nga Gjykata Kushtetuese atëherë do ta pezullojnë punën e komisionit.

Varianti i parë është që ne mos të emërojmë një bord, ndërkohë Gjykata Kushtetuese mos ta lëshojë një masë të përkohshme sepse rastet janë të ndryshme dhe ne të mbesim pa bord edhe në dhjetor, ndërsa unë vlerësoj që tashmë jemi vonë me bord të RTK-së. Ndërsa, varianti tjetër është që ta emërojmë këtë bord dhe të kemi parasysh që Kushtetuesja s’mund të marrë masë të përkohshme pasi të jetë një bord i emëruar. Mendoj që edhe vetë Gjykata Kushtetuese e ka parasysh aspektin e kohës dhe aspektin që ne jemi duke proceduar me këtë komision. Kështu që, unë e kam një bindje që nuk ka gjasa teorike të emërohet ky bord pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme. Jemi të gjithë dakord që në momentin që mund të lëshohet një masë e tillë, ne të pezullojmë çfarëdo pune që jemi duke e bërë në komisionin ad hoc.

Doarsa Kica-Xhelili – Deputete e LVV-së

Edhe kryetari i Komisionit, Armend Zemaj, tha se komisioni duhet të vazhdojë punën derisa nuk ka një vendim, e që u përkrahë nga të gjithë anëtarët e komisionit.

Mendoj që ne të vazhdojmë me procedura edhe ashtu nuk mundemi shpejt të ecim, nëse ka pezullim ose përgjigje nga Gjykata Kushtetuese dhe është mirë që ka Gjykatë Kushtetuese në këtë vend, se e ka paraparë ata që e kanë shkruar e kanë ditë që vjen një shumicë ndonjë herë që shkarkon e ngarkon kur t’i teket. Kështu që, për ta mbrojtur kushtetutshmërinë, na japin një përgjigje meritore a është i drejtë shkarkimi apo nuk është, por unë mendoj që të vazhdojmë me procedura nëse vjen diçka e tillë, ne jemi këtu.

Tha Zemaj

Anëtarët e Komisionit janë dakorduar që intervistimi i çdo kandidati të zgjasë 20 minuta dhe që pyetjet të jenë të njëjta. Në komision u vendos që poentomi i kandidatëve të jetë i hapur dhe në fund të procesit anëtarët e shoqërisë civile do të mund të pyesin deputetët për poentimin që kanë bërë ndaj kandidatëve./observeri/

Lexo edhe: Ish-kryeredaktori i “Koha Ditore” pritet të jetë ambasador i Kosovës në Bruksel

Artikuj të ngjashëm