E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Dua Lipa nderohet në Uashington për shpresën dhënë Kosovës

- Advertisment -spot_img

Me motivacionin se e ka shfrytëzuar ndikimin e saj si yll muzike, për të ndihmuar në nxjerrjen e atdheut të të parëve të saj, Kosovës, nga varfëria e pasluftës dhe për t’i dhënë një brezi të tërë “dhuratën e shpresës”, Këshilli i Atlantikut e ka nderuar Dua Lipën me Çmimin e Udhëheqjes së Dalluar, gjatë një ceremonie të mbajtur më 10 nëntor.

Në Uashington, organizata joqeveritare amerikane i ka vlerësuar individët që, sipas saj, kanë qenë shembullorë duke kontribuuar në misionin e saj “për të formësuar së bashku të ardhmen globale në fusha të ndryshme”.

Këshilli i Atlantikut e ka parë të rëndësishme të nderohen “ata që kanë ndihmuar në fuqizimin e përparimit dhe që janë përpjekur të sjellin stabilitet në këto kohë të vështira”, kur rimëkëmbja nga pandemia s’ka qenë e njëjtë në çdo vend, dhe teksa demokracitë në mbarë botën kanë shënuar, krah sukseseve, edhe regrese.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen; kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla; si dhe bashkëthemeluesit e firmës BioNTech, Ozlem Tureci dhe Ugur Sahin, janë individët e tjerë që Këshilli i Atlantikut i ka vlerësuar të mërkurën, krahas Lipës.

Çmimin e ndarë për Lipën, megjithatë, e ka pranuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me kërkesën e vetë këngëtares. E para e shtetit e ka falënderuar muzikanten “nga thellësia e zemrës për nderin e pranimit të çmimit në emër të popullit të Kosovës”.

Osmani ka thënë se Lipa është “ambasadorja më e mirë që një vend mund ta ëndërrojë”.

Lipa është vlerësuar nga Këshilli i Atlantikut për “përpjekjet e saj për ta ndihmuar Kosovën nëpërmjet Fondacionit të saj Sunny Hill, i cili synon të përmirësojë cilësinë e jetës në shtetin e ri”, teksa organizata ka theksuar se këngëtarja e lindur në Britaninë e Madhe “e ka paraqitur vendlindjen e prindërve të saj si një qendër kulturore në lulëzim, përplot kreativitet”.

Por, Lipa ka thënë, gjatë fjalimit të saj pas ndarjes së çmimit, se vragat e luftës, megjithatë, vazhdojnë të jenë të dukshme, ndërsa edhe pjesëtarët e brezit më të ri përballen me vështirësi për të siguruar mundësi për t’u zhvilluar, për të punuar dhe për të udhëtuar.

Edhe me një frymë të vendosur dhe të guximshme kombëtare, duhet kohë për t’u rimëkëmbur për të vënë themele të reja

është shprehur ajo.

“Pasi i përmbushëm të gjitha kriteret, Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën, më shumë se tre vjet më parë. Prandaj, a mund të bëhet kjo tani?”, ka pyetur këngëtarja.

“Ne jemi qe vetëm trembëdhjetë vjet duke rrugëtuar si të pavarur, dhe si pjesë e një komuniteti të fuqishëm ndërkombëtar ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht, por edhe nga aspekti kulturor”, ka thënë Lipa. “Kjo është në ADN-në tonë”, ka shtuar ajo.

Për këtë arsye, Lipa ka bërë thirrje që Kosova të pranohet sa më parë në Bashkimin Evropian.

Ende jam zemërthyer që Mbretëria e Bashkuar zgjodhi të largohet nga Bashkimi Evropian. Por, në vend se të ndalem te kjo, do të doja të kujtoja që qëllimi i parë i BE-së është të sigurojë paqe nëpërmjet bashkimit. A nuk do të ishte e udhës që Kosova ta zinte vendin e saj brenda atij unioni paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve të saj, dhe të shëronte lëndimin nga lufta e fundit?

ka pyetur këngëtarja.

Lipa ishte e fundit nga të nderuarit për Udhëheqje të Dalluar nga Këshilli i Atlantikut, teksa para saj u paraqitën në skenë për fjalimet e tyre edhe Von der Leyen, si dhe Bourla, Tureci e Sahin.

Kryetarja e KE-së u vlerësua për “shfaqje të vendosmërisë së patundur për ruajtjen e lidhjeve transatlantike”, në një kohë të “mosmarrëveshjeve të mëdha globale”.

Von Der Leyen ka thënë se “ky vit na ka kujtuar që duhet të ngrihemi për ta mbrojtur demokracinë çdo ditë”.

Shefi i Pfizer-it, bashkë me bashkëthemeluesit e BioNTech-ut, u nderuan se “paraqitën më të mirën e asaj që biznesi mund t’i ofrojë shoqërisë”, në mes të “krizës më të rëndë të shëndetit publik në një shekull”.

I pari nga treshja e përfaqësuesve të kompanive që krijuan vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, Bourla, tha se “për ta mposhtur virusin, ne duhet të jemi të bashkuar”. Tureci deklaroi se “të gjithë ne e kemi lënë shkencën dhe që të dhënat të jenë mësuesit tanë”, ndërsa Sahin u shpreh se “dëshirën për t’i ndihmuar të tjerët e kemi të rrënjosur në gjenet tona”.

Artikuj të ngjashëm