E martë, 30 Nëntor, 2021
spot_img

Letra e Majlinda Kelmendit drejtuar vajzave kosovare: Guxoni të ëndërroni dhe vraponi fuqishëm pas ëndrrës suaj

- Advertisment -spot_img

Majlinda Kelmendi është një nga gratë më frymëzuese dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjitha vajzat bazuar në karrierën dhe sfidat që ka kaluar.

Ajo do të kujtohet gjithmonë si njëra prej atleteve më të mira shqiptare, dhe si sportistja e parë që ia siguroi Kosovës një medalje olimpike, pasi e shkroi historinë në Rio 2016 kur e fitoi medaljen e artë në xhudo në kategorinë 52 kilogramë.

Së fundmi, për “Jahjaga Foundation”, ajo ka shkruar një letër të hapur mbi rrugëtimin e saj, shumë motivuese, për çdo vajzë dhe grua që gjendet në vështirësi e që ka nevojë të di se mund të arrij.

Kjo është letra e plotë e Majlindës:

Të dashura vajza kosovare,

Ndërsa po kthehesha nga Tokio, po mendoja se çfarë do të shkruaja në këtë letër. Kthimi im nga Tokio ishte ndryshe nga hera e fundit. Gjatë gjithë fluturimit për në shtëpi kam pasur rikthim të gjithë karrierës sime sportive. Mbaj mend çdo moment që nga debutimi dhe deri në ndeshjen e fundit më 26 korrik.

Këtë herë trajnimi im për Olimpiadën ishte më intensiv se kurrë për shkak se udhëtimi im në një tjetër Olimpiadë kërkonte një motivim dhe përgatitje më të madhe. Çdo ditë ishte shumë sfiduese, megjithatë vendosa të kaloj sërish në të njëjtën rrugë, duke pasur parasysh synimin për një medalje të dytë të artë.

Ju do të pyesni pse?

Është dëshira për sukses. Është dëshira për të sjellë një tjetër moment historik në vendin tim si ai i vitit 2016. Nuk ka asgjë që më bën të ndihem e plotësuar si kjo. Isha e vetëdijshme se përgatitjet për një Olimpiadë tjetër do të ishin më të vështira.

Sa herë që mendoj për karrierën time, e kuptoj se xhudo është ajo që mund të bëj më së miri. Kjo është jeta ime dhe në momentet e mia më të vështira dhe më sfiduese i kujtoj vetes se si filloi gjithçka.

Kosova sapo kishte dalë nga një luftë. Qyteti ku linda po vuante pasojat e një shkatërrimi të madh. Isha tetë vjeç dhe i kaloja ditët në lagjen time bashkë me fëmijët e tjerë. Gjithçka që kishim në ato ditë ishin lojërat tona. Ndoshta nuk mund të kuptonim se çfarë po ndodhte në vendin tonë, por gjërat ishin bërë ndryshe – kur u kthyem.

Nuk merresha me sport. Mbaj mend që afër lagjes sonë ishte një klub xhudo, të cilit i hidhja vetëm një sy sa herë që ecja pranë tij. Lufta e kishte lënë atë ndërtesë të djegur ashtu siç kishte bërë me shumë të tjera në Pejë.

Megjithatë, më kujtohet se ishte pikërisht ajo godinë që ishte ndër të parat që u rindërtua në lagje. Nuk kisha asnjë interes për të. Por motra ime kishte. Për më tepër, ajo ushtroi autoritetin e të qenit motra ime dhe kështu më detyroi ta ndiqja në stërvitjet e saj për një sport luftarak për të cilin nuk dija asgjë dhe që nuk ngjallte asnjë interes tek unë.

Shkoja në stërvitje me të çdo ditë për ta bërë të ndihej mirë. Nuk ishim të vetmet atje. Shumë nga miqtë tanë të lagjes ishin atje me ne, kështu që shkuarja jonë në atë klub u bë zakon.

Aty u njoha me Toni Kukën. Ai na mësoi lëvizjet bazë të këtij arti luftarak dhe papritmas gjithçka në lidhje me xhudon filloi të më dukej jashtëzakonisht e bukur. Isha ende fëmijë por ky sport më dha një qëllim në jetë. Rutina ime ishte praktikë – shkollë – praktikë; një cikël i përsëritur që e bëri jetën time të përditshme në mënyrë progresive kuptimplote.

Isha shumë e vogël për të menduar për garat. Në fakt, as që e dija që kishte gara ndërkombëtare të xhudos dhe se bashkëmoshatarët e mi garonin kundër njëri-tjetrit në mbarë botën. Ne konkurronim vetëm kundër njëri-tjetrit në klub. Nuk mbaj mend nëse ndonjëri prej nesh kishte ndonjë ambicie përveç asaj që të kthehej në lagjen tonë pas stërvitjes ose të luanim ndeshjen tonë të fundit dhe më pas të ktheheshim në shtëpi për darkë.

Megjithatë, Toni një ditë na tha se do të shkonim në Bosnje. As që e dija se ku ishte, por më dukej argëtuese. Të gjithë do të udhëtonim me autobus dhe do të shkonim diku larg Pejës ku na thanë se do të garonim. U emocionuam shumë, sepse në fund të fundit do të argëtoheshim…

Ky udhëtim më bëri të kuptoj se nuk ishim të vetmit që praktikonim xhudo. Ishte një botë e tërë mundësish. Takova konkurrentë të tjerë që nuk ishin miqtë me të cilët isha rritur. Pashë se kishte klube të panumërta që stërviteshin për këto gara dhe ne do të bënim diçka të ngjashme…

Pjesa tjetër është histori.

E kuptova se cila ishte thirrja ime, edhe pse rruga ishte e njollosur me pasiguri. Unë isha nga Kosova duke u stërvitur në një sallë e cila nuk ofronte kushtet minimale që një sportist të përgatitej për garat ndërkombëtare. Megjithatë, ne kishim diçka që askush që e kisha takuar atëherë nuk e kishte – motivimin për sukses.

Përveç kësaj, një femër xhudiste? Dukej pothuajse e pamundur.

Djemtë u perceptuan si më luftarak dhe më të përshtatshëm për këtë sport. Edhe në të gjithë botën ishin meshkujt ata që dominuan këtë sport. Vetëm në vitin 1992 në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Barcelonë, xhudoja e femrave u fut në këtë garë. Kjo ndodhi 28 vjet pasi Xhudoja për meshkuj u bë një sport olimpik – që nga Lojërat Olimpike të Tokios në 1964.

Ndërkohë, ne vajzat e lagjes do të ushtroheshim me Tonin çdo ditë. Nuk kam munguar kurrë në stërvitjet e rregullta. Edhe kur isha e sëmurë, ishte e pamundur të bindja veten të qëndroja në shtëpi edhe pse isha me grip. Ne kishim një mision dhe pavarësisht pengesave, nuk kishim kthim prapa nga udhëtimi ynë drejt përfundimit të tij.

Isha 18 vjeç kur fitova medaljen e artë në Kampionatin Botëror të Juniorëve në Paris, Francë në vitin 2009. Deri në atë moment, garat në të cilat kisha marrë pjesë ishin të panumërta. Të gjithë ato më përgatitën për betejat e mia më të vështira që më prisnin në të ardhmen.

Udhëtimi im ishte i mbushur me lot dhe net pa gjumë; me momentet kur në tapetin e “Ippon Hall” në Pejë u përballa me presionin e brendshëm për t’u dorëzuar sepse do të mendoja se mund të mos ja dilja dot. Tani e kuptoj që gjithçka që më ka ndodhur duhet të ndodhte në mënyrë që të më bënte njeriun që jam sot.

Gjatë gjithë karrierës sime kam qenë në një cikël të vazhdueshëm sa i përket përgatitjeve për gara. I kisha vënë synimet Olimpiadës dhe më në fund arrita të garoja në Olimpiadë për herë të parë kur isha 21 vjeç. Ishte në Lojërat Olimpike të Londrës që u mbajtën në vitin 2012. Kosova nuk ishte pjesë e Komitetit Olimpik, por gjithsesi shkova në Britaninë e Madhe. Shqipëria më dha një pasaportë shqiptare dhe më dha mundësinë të përfaqësoja flamurin bardh e zi në Lojërat Olimpike të Londrës.

Ne luftuam shumë për të vendosur flamurin e Kosovës në kostumin tim të xhudos në Londër, por kjo nuk u realizua. Një tjetër gjë që nuk ndodhi ishte një medalje për mua dhe Shqipërinë. Ishte një zhgënjim i madh. Po luftoja me ndjenjat e mia çdo ditë pas ndeshjes që humba kundër xhudistes mauritiane, Christianne Legentil.

Ishte periudha më e vështirë e jetës sime. Nuk e dija nëse doja të vazhdoja të merresha me xhudo. Kam pasur presione nga opinioni publik përpara se të shkoja në Londër – ku kisha kaluar krejtësisht pa përvojë me sfidën që më priste në garë – dhe pas Olimpiadës gjithashtu.

Nuk isha gati të përballesha me komentet negative. Çdo fjalë që thuhej për mua më linte përshtypje. Kjo ishte e gabuar.

Mbaj mend që pas konkursit shkova me familjen me pushime në Durrës. Një burrë më njohu në plazh dhe u afrua dhe më tha: “Ah, si na turpërove kështu Majlinda?”.

Isha e tronditur emocionalisht dhe nuk mund të diskutoja e as të flisja me askënd. Këtu mësova një mësim. E kuptova që duhej të fokusohesha vetëm te konkurrenca dhe të mos harxhoja energjinë time diku tjetër.

Mendimi im për tërheqjen nga sporti? U largua automatikisht. U ngrita në këmbë dhe fillova të zgjohesha në orën pesë të mëngjesit për stërvitjen time. Gjithmonë e kam pasur Tonin pranë dhe kam vendosur të sfidoj edhe kufijtë e mi për të arritur atje ku doja të isha – për veten dhe për vendin tim.

Një vit më vonë kam marrë pjesë në Kampionatin Botëror në Rio de Zhaneiro. U ktheva si kampion bote. Në ndeshjen time të fundit ku fitova medaljen e artë, kam luftuar me xhudisten braziliane, Erika Miranda. Ndeshja ishte e vështirë, por kisha besim të plotë se titulli do të ishte i imi. Në gjysmë të ndeshjes e munda.

Që nga ai vit, u ktheva në shtëpi me një medalje nga çdo garë ku mora pjesë. Motivimi im ishte i lartë dhe tani kisha ndërtuar profilin tim të një sportisteje të nivelit të lartë dhe më duhej ta ruaja këtë nivel në mënyrë të domosdoshme.

Pastaj erdhi Rio de Zhaneiro, 2016…

Isha përgatitur për kaq shumë vite për këto Olimpiada. Doja të bëja histori dhe kjo më motivoi edhe më shumë. Unë do të ecja në Lojërat Olimpike duke mbajtur flamurin e vendit tim. Më kishin ofruar shumë herë të konkurroja për vende të tjera. Madje më kishin ofruar shuma astronomike parash; por kjo nuk ishte pengesë për qëllimin tonë.

Po mendoja për lagjen time; Po mendoja për malet e Pejës ku kisha ushtruar në mëngjeset e ftohta dhe po mendoja për çdo sfidë me të cilën duhej të përballej klubi ynë në rrugën e tij deri në pikën ku kishim ardhur tani; dhe Kosova ka qenë gjithmonë zgjedhja ime e vetme. Doja të shihja flamurin e vendit tim në piedestal.

Ishte një privilegj dhe ishte krenari të garoja me ngjyrat e Kosovës.

Gjithçka që kishim bërë si ekip deri atëherë më dha sigurinë e plotë se do të triumfoja. Kam kaluar kaq shumë net pa gjumë para Olimpiadës. Kishim punuar shumë në teknikat tona luftarake dhe tani kisha pjekurinë e nevojshme për të fituar garën më të rëndësishme të jetës sime.

Zemra ime kurrë nuk ka rrahur aq shpejt ashtu siç bëri në 7 gusht të vitit 2016. Kur kam hyrë në ndeshjen kundër xhudistes italiane, Odette Giuffrida, unë kam qenë vetëm katër minuta larg nga të bërit ëndrrën time realitet. Asgjë nuk do të më ndalonte dhe medalja do të ishte e imja – ia kam bërë të qartë vetes që në momentin që mora vesh se isha në finale.

Deri këtu mund të përshkruaj me fjalë çdo ngjarje të jetës sime; por nuk mund ta bëj këtë me momentin e fitores sime. Isha e pushtuar nga emocionet më të forta që një qenie njerëzore është e aftë të ndjejë. Derdha lot gëzimi dhe ajo që po ndodhte dukej sikur ishte imagjinare dhe jo si diçka që po më ndodhte.

E kalova natën e triumfit duke parë pamjet dhe fotot nga ndeshja – sikur të kisha nevojë të bindja veten se “Po, Majlinda, ti je kampione olimpike. Ti fitove konkursin. Ti ishe atje; nuk ishte ëndërr”.

Ndërsa po ju drejtohem tani, të gjitha vështirësitë nëpër të cilat kam kaluar po më kalojnë në mendje. Gjatë gjithë karrierës sime pësoja lëndime të rënda fizike që më pengonin të ushtrohesha apo të merrja pjesë në gara. Mjekët në Prishtinë më thoshin se nëse nuk dal në pension aty për aty, trupi im nuk do ta përballonte më dhe rrezikoja të paralizohesha.

Ata do flisnin dhe ndihesha sikur të mos isha unë që po ia thoshin ato gjëra. Besimi që kisha te vetja dhe tek e ardhmja është ajo që më mbajti në këtë sport. Kisha bindjen se gjithçka në karrierën time po shkonte mirë. Isha shumë e kujdesshme me praktikat e mia dhe po përpiqesha të shfrytëzoja potencialin tim në maksimum.

Unë jam e motivuar nga suksesi. Më pëlqen të dominoj dhe të shfaq suksesin, sepse e di që kështu i bëj të lumtur ata që më kanë mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit tim. Unë e dua suksesin tim edhe për shkak të vendit tim.

Muret në sallën tonë në Pejë mund të mos jenë më të bukurit, dhe dyshekët tanë mund të mos jenë të përshtatshëm, por doja t’i tregoja botës dhe rinisë kosovare se nuk ka justifikime. Infrastruktura e mirë dhe miliona investime janë rrethanore. Doja të dëshmoja se mund të ketë një kampion olimpik nga Kosova.

Të dashura vajza,

Për çdo rrugë që zgjidhni të ndiqni në jetën tuaj, kam vetëm dy gjëra për të thënë: punoni shumë dhe mos u dorëzoni kurrë edhe kur gjërat duken të pamundura.

Do të ketë zhgënjime. Do të ketë dyer të mbyllura dhe do të ketë grupe njerëzish që do ta bëjnë rrugën të pakalueshme. Por këtu qëndron e bukura. Çdo sfidë nëpër të cilën kalon bëhet një mësim.

Merrni vështirësitë tuaja dhe transformojini ato në forcë. Guxoni të ëndërroni dhe vraponi fuqishëm pas ëndrrës suaj.

Dikur shpresoja se nuk do të isha e vetmja medaliste e artë nga Kosova. Ne u kthyem nga Tokio me dy medalje të tjera të arta. Tani Kosova ka tre prej tyre. Nuk mund të jem më e lumtur se kaq për faktin që Nora dhe Distria u bënë me medalje të arta në Olimpiadën e fundit.

Unë besoj shumë se jam e para në mesin e shumë medalistëve të artë që do të vijnë për Kosovën.

E juaja,

Majlinda Kelmendi. 

/observeri/

Lexo edhe: Dua Lipa, ndër të famshmit më të pasur nën moshën 30-vjeçare në Britani

Artikuj të ngjashëm